Faktet kryesore për gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Shpenzimet për të akuzuarit në Hagë (deri më 4 Nëntor 2022)

Nga buxheti i Republikës së Kosovës, në dy vjetët e fundit, janë ndarë mbi 13 milionë € për qytetarët e akuzuar të Kosovës nga Gjykata Speciale për krime lufte, me seli në Hagë. Shuma më e madhe e parave është shpenzuar për avokatët e tetë të akuzuarve.

Totali: 13.142.224
(Shpenzimet përfshijnë periudhën 2021 – Tetor 2022 – Burimi: Ministria e Drejtësisë e Kosovës – Infografikat: Radio Evropa e Lirë © 2023 RFE/RL, Inc.)

 

Jakup Krasniqi – 2.006.769
Pagesa për avokatë 1.975.250€ / Bileta të udhëtimit për familjarë 17.801€ / Shpenzime për vizita të familjarëve 13.718€

Hysni Gucati – 1.982.527
Pagesa për avokatë 1.954.250€ / Bileta të udhëtimit për familjarë 16.355€ / Shpenzime për vizita të familjarëve 11.922€

Rexhep Selimi – 1.939.222
Pagesa për avokatë 1.907.700€ / Bileta të udhëtimit për familjarë 17.244€ / Shpenzime për vizita të familjarëve 14.277€

Hashim Thaçi – 1.749.101
Pagesa për avokatë 1.749.101€

Nasim Haradinaj – 1.730.426
Pagesa për avokatë 1.715.963€ / Bileta të udhëtimit për familjarë 7.007€ / Shpenzime për vizita të familjarëve 7.455€

Kadri Veseli – 1.627.279
Pagesa për avokatë 1.614.724€ / Bileta të udhëtimit për familjarë 6.354€ / Shpenzime për vizita të familjarëve 6.200€

Salih Mustafa – 1.381.788
Pagesa për avokatë 1.371.172€ / Bileta të udhëtimit për familjarë 5.895€ / Shpenzime për vizita të familjarëve 4.720€

Pjetër Shala – 725.110
Pagesa për avokatë 715.000€ / Shpenzime për vizita të familjarëve 10.110€

 

Faktet kryesore për gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

(Infografikë – S. Guraziu – AP, Prill 2023 – Të dhënat: Radio Evropa e Lirë © 2023 RFE/RL, Inc.)

Gjyqi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, nisi më 3 Prill në Hagë të Holandës. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Për çfarë ngarkohen ata?
– Krime kundër njerëzimit (përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje të paligjshme dhe zhdukje me forcë të personave) dhe krime lufte (arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë, dhe vrasje të paligjshme).

Kur supozohet të jenë kryer krimet?
– Nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999.

Ndaj kujt?
– Kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë.

Vendet ku supozohet të jenë kryer krimet?
– Rreth 40 lokacione, në Kosovë, si dhe në Kukës e Cahan, Shqipëri.

Paraqitja e tyre e parë në gjykatë?
– Nëntor 2020. Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm.

Kohëzgjatja e procedurës paraprake?
– 28 muaj e 19 ditë.

Si nis procesi gjyqësor?
– Deklaratat hyrëse janë planifikuar të paraqiten nga 3 deri më 5 prill dhe paraqitja e provave fillon më 11 prill 2023.

Numri i avokatëve mbrojtës?
-17

Mbrojtës të viktimave?
– 2

Numri i viktimave pjesëmarrëse?
– 140

Koha që ka kërkuar Prokuroria për paraqitje të provave?
– Rreth 600 orë. Mbrojtja ka kërkuar shkurtim të kësaj kohe.

Koha që ka kërkuar mbrojtja për paraqitje të provave?
– Rreth 3 deri 4 muaj.

[ Radio Evropa e Lirë: Lendi Susuri – Burimi: scp-ks.org, evropaelire.org – Radio Evropa e Lirë financohet nga fondi i Kongresit amerikan përmes Agjencisë së ShBA për Media Globale ]

***

Lokacionet ku Prokurori Special ndaj ish-krerëve të UÇK dyshon se u kryen krime në Kosovë

Në aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, përmenden 40 lokacione ku dyshohet se u kryen krime. Aty përmenden më shumë se 400 persona të ndaluar jashtëligjshëm, 102 të vrarë dhe 20 të zhdukur.

[ 36 lokacione, dhe dyshimet sipas aktakuzës (aty përmenden dhe disa lokacione të tjera…) – Të dhënat: Shkelqim Hysenaj – Burimi: Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit tё Specializuar tё Kosovёs – Radio Evropa e Lirë ]

1 – Bajgorë (Podujevë)
Në një qendër ndalimi dyshohet së janë mbajtur 16 persona. Sipas aktakuzës, një është vrarë. Në një rast thuhet se një person ishte dërguar në mal nga pjesëtarët e UÇK-së dhe se ishte lidhur për një lis. Eshtrat e tij thuhet se ishin gjetur nga familjarët.

2 – Bare (Podujevë)
Në këtë lokacion dyshohet se janë mbajtur 8 persona në një qendër ndalimi të UÇK-së në muajin gusht të vitit 1998. Të ndalurit dyshohet se janë rrahur dhe se kanë qenë viktima të dhunës psikologjike.

3 – Llapashticë (Podujevë)
Nga nëntori i vitit 1998 deri në muajin mars 1999 në këtë lokacion dyshohet se në një qendër ndalimi janë mbajtur gjithsej 52 persona. Të ndaluarit dyshohet se janë rrahur dhe kanë përjetuar dhunë psikologjike. Në një rast një grua thuhet se u detyrua të lindë në këtë qendër pa kujdesin e nevojshëm. Të ndalurit, sipas aktakuzës, përbëheshin nga pjesëtarë të LDK-së, përkrahës si dhe qytetarë serbë.

4 – Dobrotin (Podujevë)
Në fund të marsit 1999, një person dyshohet se është ndaluar në këtë lokacion. Ai dyshohet se është lidhur dhe është ndaluar pa proces të rregullt ligjor për të paktën dy ditë në mes të fshatit, ku ishte viktimë e rrahjeve dhe dhunës. Sipas aktakuzës, ai është dërguar në një pikë kontrolli ku është vrarë.

5 – Potok (Podujevë)
Nga 25 marsi deri më 7 prill 1999, sipas aktakuzës, dy persona dyshohet se janë ndaluar nga UÇK-ja në këtë lokacion. Ata dyshohet se janë vrarë.

6 – Majac (Podujevë)
Në këtë lokacion, sipas aktakuzës, nga data 25 mars deri më 7 prill 1999, dyshohet se nga pjesëtarët e UÇK-së janë ndaluar tre persona. Ata dyshohet se janë vrarë në fillim të muajit prill 1999.

7 – Jeshkovë (Prizren)
Këtu dyshohet se gjatë muajit gusht 1998 janë mbajtur të ndaluar pesë persona. Të ndaluarit, sipas aktakuzës, ishin rrahur nga pjesëtarët e UÇK-së.

8 – Prizren
Nga 16 deri më 26 qershor 1999, të paktën 28 persona dyshohet se janë ndaluar jashtëligjshëm nga pjesëtarët e UÇK-së në Prizren. Një person dyshohet se është vrarë me datë 17 apo 18 qershor 1999.

9 – Varosh (Ferizaj)
Aktakuza thotë se mes datës 10 dhe 12 mars 1999, pesë persona kanë qenë të ndaluar në këtë lokacion. Pjesëtarë të UÇK-së, akuzohen se i kanë rrahur dhe maltretuar në forma të ndryshme. Katër prej tyre janë vrarë dhe rezultojnë të zhdukur.

10 – Greme (Ferizaj)
Në aktakuzë thuhet se nga data 16 deri më 19 qershor, dy persona dyshet se janë ndaluar jashtëligjshëm në rrethinën e Gremes në Ferizaj.

11 – Nerodime e Ulët (Ferizaj)
Rreth datës 18 qershor 1999, sipas aktakuzës, në Nerodime të Ulët, pjesëtarët e UÇK-së kanë vrarë një qytetar serb. Për të nuk dihet gjë.

12 – Drenoc (Rahovec)
Në periudhën maj – korrik 1998, në këtë lokacion dyshohet se janë mbajtur në një qendër ndalimi së paku 38 persona. Ata dyshohet se janë rrahur dhe maltretuar në forma të ndryshme. Në mesin e të ndaluarve dyshohet se kishte pjesëtarë të LDK-së, si dhe qytetarë serbë dhe romë. Së paku shtatë persona dyshohet se janë vrarë dhe zhdukur me forcë. Nga ky vend, sipas aktakuzës, personalisht Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, në prani të Rexhep Selimit, kanë marrë dy kundërshtarë dhe i kanë dërguar në drejtim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Ata s’u panë më kurrë.

13 – Kleçkë (Lipjan)
Nga nëntori i vitit 1998 deri në qershor të vitit 1999, në këtë lokacion dyshohet se janë ndaluar të paktën 20 persona, 11 dyshohet se janë vrarë. Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, akuzohen se ishin të përfshirë në aspekte të ndryshme në ndalimin, transferimin dhe lirimin e të ndaluarve. Rexhep Selimi akuzohet se ka rrahur një person me mjete të forta.

14 – Shalë (Lipjan)
Në nëntor apo dhjetor të vitit 1998, të paktën katër persona dyshohet se janë ndaluar në këtë lokacion. Dy prej tyre gazetarë serbë, të cilët aktakuza pretendon se janë intervistuar nga Hashim Thaçi dhe Fatmir Limaj. Këtu dyshohet se janë keqtrajtuar edhe dy pjesëtarë të LDK-së.

15 – Baicë (Skënderaj)
Sipas aktakuzës, në Baicë ishin dërguar 13 personat e arrestuar në Qirez e që siç thuhet në aktakuzë, ishin pjesëtarë të një delegacioni parlamentar humanitar. Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi ishin të pranishëm, si në vendin e arrestimit në Qirez, ashtu edhe në Baicë, ku më pas të arrestuarit janë transferuar, janë rrahur dhe janë marrë në pyetje.

16 – Llapushnik (Drenas)
Nga fundi i muajit prill deri në fund të muajit korrik të vitit 1998, në këtë lokacion dyshohet se janë mbajtur në një qendër ndalimi të paktën 30 persona. Në aktakuzë thuhet se të arrestuarit janë plagosur me shkopinj, kondakë armësh dhe mjete tjera të tjera. “Të paraburgosurit mund të dëgjonin dhe shihnin abuzimin e rëndë të të burgosurve të tjerë”, thuhet në aktakuzë. Në mesin e të ndaluarve kishte edhe mbështetës të LDK-së, romë dhe serbë. Aktakuza thotë se në këtë periudhë, në Llapushnik janë vrarë së paku dhjetë persona.

17 – Likoc (Skënderaj)
Nga muaji prill i vitit 1998 deri në janar të 1999-s, sipas aktakuzës, të paktën 25 persona janë mbajtur në një qendër ndalimi. Ata dyshohet se janë rrahur dhe maltretuar në forma të ndryshme. Sipas aktakuzës, nga të ndaluarit kishte pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që akuzoheshin si bashkëpunëtorë të serbëve dhe policisë së Serbisë. Në këtë lokacion dyshohet se janë vrarë tetë persona, si dhe janë zhdukur me forcë shtatë të tjerë.

18 – Qirez (Skënderaj)
Në shtator të vitit 1998 dyshohet se në këtë lokacion janë ndaluar 13 persona, sipas aktakuzës, anëtarë të një delegacioni parlamentar, i cili ishte në një vizitë humanitare në Qirez. Aktakuza thotë se Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi ishin të pranishëm gjatë arrestimit. Hashim Thaçi akuzohet se i mori në pyetje si dhe u kërkoi ta kundërshtonin Ibrahim Rugovën, atëbotë kryetar i LDK-së dhe udhëheqës i shqiptarëve të Kosovës.

19 – Malishevë
Nga 16 deri më 26 – 27 korrik të vitit 1998 në Malishevë dyshohet se janë mbajtur në një qendër ndalimi së paku 48 persona. Ata dyshohet se janë maltretuar në forma të ndryshme. Jakup Krasniqi thuhet se ishte prezent në një rast. Të arrestuarit thuhet se ishin pjesëtarë të LDK-së, qytetarë serbë dhe romë. Më 19 korrik 1998, 12 të ndaluar dyshohet se u vranë për një ditë. Në aktakuzë thuhet se disa të tjerë u dërguan dhe u vranë në fshatin Volljakë të komunës së Klinës.

20 – Bubël (Malishevë)
Nga 6 deri më 9 qershor 1999, tre persona dyshohet se janë ndaluar jashtëligjshëm në këtë fshat. Ata janë transferuar në fshatin Kostërc të Suharekës.

21 – Suharekë
Sipas aktakuzës në ish-stacionin e policisë në Suharekë, është ndaluar të paktën një person në fund të muajit qershor 1999. I ndaluari ishte transferuar në Rahovec, thotë aktakuza.

22 – Semetisht (Suharekë)
Sipas aktakuzës më 19 ose 20 gusht 1998, në këtë fshat është ndaluar jashtëligjshëm një person.

23 – Kostërc (Suharekë)
Nga data 10 deri më 16 qershor 1999 të paktën shtatë persona dyshohet se janë ndaluar jashtëligjshëm në këtë vend. Në aktakuzë thuhet se të arrestuarit janë marrë në pyetje dhe janë akuzuar se ishin anëtarë dhe përkrahës të LDK-së, spiunë dhe bashkëpunëtorë me autoritetet serbe dhe se nuk e përkrahnin UÇK-në.

24 – Budakovë (Suharekë)
Nga 4 korriku i vitit 1998, si dhe 28 apo 29 prilli i vitit 1999, në një qendër ndalimi në këtë lokacion dyshohet se janë mbajtur 12 persona. Këtu dyshohet se janë vrarë dhe zhdukur dy persona. Një nga personat e ndaluar përshkruhet si pjesëtarë i LDK-së.

25 – Taslixhe (Prishtinë)
Në aktakuzë thuhet se të paktën tre persona dyshohet se janë ndaluar jashtëligjshëm në lagjen Taslixhe të Prishtinës gjatë vitit 1999. Dy nga të arrestuarit kishin qenë të ndaluar edhe më parë nga UÇK-ja. Të ndaluarit ishin serbë dhe sipas aktakuzës ishin akuzuar për bashkëpunim me forcat serbe.

26 – Tokbashqe (Prishtinë)
Në muajin gusht të vitit 1999, sipas aktakuzës, dyshohet se është ndaluar dhe keqtrajtuar një burrë serb i moshës së shtyrë. Ai dyshohet se është vrarë nga pjesëtarë të UÇK-së.

27 – Zllash (Prishtinë)
Në shtator të vitit 1998, një person dyshohet se është ndaluar në këtë lokacion. Aktakuza flet edhe për shtatë të ndaluar të tjerë, të cilët dyshohet se janë rrahur e maltretuar nga pjesëtarët e UÇK-së.

28 – Novobërdë
Në Novobërdë dyshohet se në fund të qershorit 1999 janë ndaluar jashtëligjshëm katër persona. Ata dyshohet se janë rrahur dhe maltretuar nga pjesëtarët e UÇK-së.

29 – Gjilan
Në aktakuzë thuhet se gjatë qershorit dhe korrikut 1999 në qytetin e Gjilanit janë ndaluar jashtëligjshëm tre persona. Dy prej tyre të nacionalitetit serb, për të cilët në aktakuzë thuhet se më pas janë vrarë.

30 – Ivajë (Kaçanik)
Në mes të datave 1 deri më 8 mars 1998, 13 persona dyshohet se janë ndaluar në këtë lokacion, katër prej të cilëve ishin paraprakisht të ndaluar në fshatin Bob.

31 – Bob (Kaçanik)
Në mes të datës 5 dhe 6 mars 1999, katër persona dyshohet se janë ndaluar joligjërisht në këtë lokacion.

32 – Biçec (Kaçanik)
Nga data 8 deri më 10 mars 1999, pesë persona dyshohet se janë transferuar nga fshati Ivajë në një vendndalim në fshatin Biçec. Ata më pas janë transferuar në Varosh të Ferizajt.

33 – Vërban (Viti)
Në këtë lokacion, sipas aktakuzës, gjatë vitit 1999 dyshohet se janë ndaluar jashtëligjshëm të paktën nëntë persona. Të ndaluarit dyshohet se janë rrahur dhe malteretuar në forma të ndryshme. Në aktakuzë thuhet se njërit prej tyre i janë nxjerrë thonjtë me dara.

34 – Jabllanicë (Gjakovë)
Në këtë lokacion dyshohet se nga prilli i vitit 1998 deri në fund të korrikut të të njëjtit vit, janë ndaluar 13 persona. Sipas aktakuzës, ata dyshohet se “janë goditur në të gjithë trupin me shkopinj bejsbolli, grushte, shqelma, thereshin me thika dhe janë kërcënuar me vdekje”. Të ndaluarit ishin serbë, malazezë, romë dhe boshnjakë. Në këtë lokacion dyshohet se janë vrarë tre persona. Njëri nga ta ende është i zhdukur.

35 – Kukës (Shqipëri)
Nga muaji maj deri në qershor 1999 në fabrikën e metalit në Kukës, pjesëtarë të UÇK-së dyshohet se ndaluan të paktën 20 persona. Më 5 qershor dyshohet se një person është vrarë. Në aktakuzë thuhet se të arrestuarve u janë konfiskuar dokumentet e udhëtimit dhe sendet e tjera dhe se janë prangosur, janë lidhur dhe mbajtur nën kujdesin e rojave të armatosura.

36 – Cahan (Rajoni i Hasit, Shqipëri)
Nga muaji prill deri në qershor 1999, në Cahan të Shqipërisë dyshohet se janë ndaluar jashtëligjshëm të paktën 17 persona. Sipas aktakuzës, të arrestuarit janë goditur me shkopinj, shufër hekuri, kamxhik, kondakë pushke si dhe janë prerë me brisk apo janë kërcënuar me vdekje. Të arrestuarit janë akuzuar se ishin përkrahës dhe spiunë të LDK-së, bashkëpunëtorë me serbët dhe autoritetet serbe dhe se nuk e përkrahnin UÇK-në. Në mesin e të arrestuarve ishin anëtarë dhe përkrahës të FARK-ut dhe LDK-së.