Lufta dhe Paqja (Po dhe Jo) – Rritja e “shtetit” (opsion)!

(s. guraziu – ars poetica, g 23 – pak humor)

( ngjitur: ilustrime të Rafal Olbinski – “(Po – Jo) Luftë dhe Paqe”, dhe “Mendje Mashtruese” – mbase Olbinski donte të thoshte: mendja jonë fluturushe, mashtruese, gabimthi fluturon gjithandej, na mashtron, sytë i shohin “sytë” aty ku s’janë, në vend që të shihnin fare diç tjetër, përndryshe me mendje të shëndoshë zor se nis kush luftë : )

***
Dihet se madhësia e vendit, e shtetit (si shembull dmth) mund të rritet duke i pushtuar qytetet, fshatrat, krahinat, rajonet, ose dhe vendet fqinje komplet.
Anise kjo metodë e “zmadhimit” shtetëror ka dalë paksa nga moda, na ishte se ç’na ishte. Në kohët e kolonializmit (dmth. jo dhe aq larg në histori) pushtimi i vendeve, zaptimi i tokave, marshi i ushtrive, vramendja e gjeneralëve… ishin diç si preokupim i lavdishëm.

Nëse i ndjekim kufijtë politikë (ato vijat artificiale që i ndajnë subjektet politike të hartave) shohim se vendet më të mëdha janë Rusia, Kanadaja, ShBA, Kina, Brazili, Australia, India etj. Ndërsa vendet më të vogla, aq te vogla sa s’ka më, Vatikani, Monako, Nauru, Kosova etj.
Lavdia e dikurshme kolonialiste, tundimet aventureske kolumbiane, post-kolumbiane, veset viktoriane etj etj. kanë ikur. Në kohët e arta të historisë mund të blihej Alaska… bie fjala nga Rusia, mund të zaptohej gjithë India, gjithë Australia, mund të blihej e gjithë Kalifornia. Shtetet ishin diç si “napolona” të konfederalizmit, të perandori-zmit, shpesh i ëmbëlsonin zmadhimet federative etj.

Shembulli më “ilustrativ” i vetë shembujve… ndoshta Rusia – aq e madhe, thuase mega-lomani e vetë madhështisë sipërfaqësore. Merre me mend, e pati shitur Alasken thjesht sepse i duheshin napolonat, çfarë shaka-marrëzie historike : )
Kur t’u teket mund të shesin, e çfarë pastaj, kanë pafund tokash e ujërash. Madje, nëse u teket rishtas mund t’ia nisin me pushtimet.
Anise e vështirë “ndjekja” e Rusisë, po aq sa dhe ndjekja e Historise… s’ndiqen lehtë shembujt e dekadencës, i vështirë dhe vetë Putinizmi.

Mirëpo ka alternativa, rritja e shtetit gjithmonë ia vlen me bonifikimin, me rikuperimin e steres, e që është procesi i krijim-zaptimit të tokës nga ujërat, nga oqeanet, nga detrat, ose duke i tharë moçalishtet e ligatinat, ose duke e zgjeruar vijen bregdetare etj.
Pata lexuar diku se zotësia rreth bonifikimit të tokës, 1-shi i zotësisë u takuaka kinezëve. Nuk qesh çuditur, por pata kujtuar që holandezet do jenë prijatarët, e jo kinezët. Që nga v. 1949 Kina e paska krijuar një sipërfaqe të madhe të tokës artificiale. Ndoshta më shumë se 13.000 km². Imagjino, kjo shtojca kineze a la artifiça, më e madhe se Kosova si shtet (Kosova i ka vetëm 10.887 km²).

Pas Kinës, vende tjera të suksesshme në këtë drejtim, Holanda (7000 km² – siduket dhe këta do e kenë 1 Kosovë sipërfaqe “shtojcë”), pastaj Koreja Jugore (1550 km²), ShBA (1000+ km²), Japonia (500+ km²), Emiratet e Bashkuara Arabe (470 km²), Bahreini (410 km²), Singapori (135 km²), Bangladeshi (110 km²) dhe Hong Kongu (67 km).

Gjeografët thonë, nëse e “lexojmë” globin, Toka duhet t’i ketë 510.072.000 km² sipërfaqe. Mirëpo kuptohet e gjithë sipërfaqja e zënë. Stereja totale e planetit 29.2% (≈149 milionë km²), pjesa tjetër, 70.8% ujë – s’ka ngelur as 1m² e lirë.
Azia është kontinenti më i madh, 44.579.000 km², përbën 30% të sipërfaqes së Tokës, mirëpo e gjithë Azia e zënë. Në Afrikë po ashtu, asnjë pëllëmbë e lirë (30.365.000 km², 20.4% e Tokës), e gjithë Afrika e zënë.

Dhe kështu me radhë, në Amerikën e Veriut (24.709.000 km², 16.6% e Tokës) e gjithë Verio-Amerika e zënë. Amerika e Jugut (17.840.000 km², 12% e Tokës) komplet e zënë. Në Antarktidë (14.200.000 km², 9.4% e Tokës) çdo pëllëmbë e zënë. Evropa (10.180.000 km², 6.8% e sipërgfaqes së Tokës) e zënë. Australia (8.600.000 km², 5.8% e Tokës) e zënë…

Nëse “zbresim” nga maksiatura, bie fjala në Shqipëri (28.748 km², 0.02% e Tokës) s’ka as 1 m² të lirë, me ujë e me stere janë zënë. Tjetër se dhe shqiptarët janë me fat, njësoj si holandezët, e kanë detin. Truku i bonifikimit të tokës për shqiptarët është opsion i vërtetë.
Për fat të keq, s’mund të thuhet e njëjta dhe për Kosovën (10.887 km² >0.01% e Tokës). Jo dhe aq për lakmi, vend pa dalje në det. 1 liqen… dhe atë shpesh nga ana andej ia “turbullojnë” serbët. Dihet se serbët janë të zotët për turbullimin e shumçkaje, jo vetëm të politikave.

E prapë, padyshim do ketë dhe më keq – le t’i përmendim vegjëlinë qesharake, 2 më të vegjlit, 2-shen e fundit. Le ta mbyllim me të vegjlit. Bie fjala Vatikani (0,44 km², as gjysmë km² sovranitet) s’ka si pretendon bonifikimin (s’do pinte ujë pretendimi, do ishte zaptim i tokës nga Roma). Sidoqoftë, Vatikani e ka ngushëllimin e vet, duke qenë se është “shtet shpirtëror”, mund t’jetë i “vogël” me sipërfaqe ama “shpirtërisht” padyshim do jetë shteti më i madh i planetit.
Ndërsa Monako (1,95 km² <0,001%) dhe mund ta përdorë trukun e bonifikimit tokësor. Por dhe ata aq të pasur, secili më “monark” se tjetri, s’ia vlen të shqetësohen. Se mos francezët u kënaqkan me ata ishujt atje larg të Oqeanisë, pa pa pa… ndoshta mjaft prej tyre s’dinë as ku janë as që i kanë : )