Sibila Petlevski – Bregu i Venerës

BREGU I VENERËS
Sibila Petlevski [ 1964, Kroaci ]

Quando yo murera quiero tus manos en mis ojos
(Kur të vdes m’i mbulo sytë me duart e tua) – Pablo Neruda / Soneti LXXXIX

Sikur t’kishe guxim të m’i mbulosh sytë e hapur
me shuplakat, do ta shihja bregun e Venerës
në dorën tënde dhe do t’nisesha tatpjetës që të bindem
ç’ndodhet në anën tjetër. Ajo ikje e thjeshtë
nga vdekja do t’ishte ngjashëm me zhvendosjen
e jastëkut nga nënkoka tek këmbët.
Arkëmorti do t’ngecej në rërë,
sënduk i gdhendur nga një copë e vetme akulli,
në lartësinë e lehtë, të ngrohtë.
Në çast, mashtrimi iluzor do t’përfshinte ndërrimin
e ngjyrës së flokëve dhe të gjinisë,
lirimin e çifteve të specieve të rrejshme të shtazëve,
si flamingo të mrekullueshëm me këmbët përgjysmë
rritur me filiza degësh të shelgut, dhe atyre njerëzve
të vegjël artificial, nga të cilët ke aq shumë frikë,
përngjitur gojë më gojë, që nga ta fryma t’mos ik.

– – –
© 2004, S. Petlevski – “Parullat e harresës” (dorëshkrim) – via Poetry International, Rotterdam
© nga kroatishtja: S. Guraziu – Ars Poetica, 2008