Sibila Petlevski – Parullat e Harresës

PARULLAT E HARRESËS
Sibila Petlevski [ 1964, Kroaci ]

Ata kumakë rriten me kërcejë të stërgjatë,
thuase të parët e tyre të largët t’ishin nga fushat
e lulediellit, rrëzë murit, nën dritaren me dy
grilat hapur për të cilat mbahet me (dy) duart
fëmija me fytyrën e të rriturit, ngjashëm
me të fëmijës i cili do t’mund të shpallej
i shenjtë në botën ku çdo gjë është më e re
sesa duket. Vetmia i shton vitet.

Kur gjurmët e pjekurisë në trupin i cili zhvillohet
vetvetiu, i cili s’ka pasur rastin e takimit
me trupa të tjerë, si dhe me trupin e Zotit, i cili
s’i ka fërkuar supet me të huajat, s’ka dhënë dorën,
i cili ekziston dhe mplaket pa rezistencë, pa gravitacion,
kur gjurmët në atë trup thërrasin joshjen për pikëllimin,
do t’i provojmë parullat e harresës që t’mos
dënohemi me përkujtimin e esëllt se akoma jemi këtu.

– – –
© 2004, S. Petlevski – “Parullat e harresës” (dorëshkrim) – via Poetry International, Rotterdam
© Nga kroatishtja: S. Guraziu – Ars Poetica, 2008

Notë :
…në poezitë “Java e shenjtë”, “Qeni di më mirë”, “Parullat e Harresës”, “Mish që nuk prishet” (etj.) të poetes kroate Sibila Petlevski, ironia “poetike” është e thellë dhe ka t’bëjë me katrahurën e ish-Jugosllavisë, me dridhjen e themeleve të ish-federatës dhe me shpërthimin e luftrave (fillimisht në Slloveni, në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë…), autorja sikur e përqesh natyrën konfliktuoze të njeriut dhe të politikave të veta, sikur tallet se dhe “qeni do dinte ta kufizonte botën e vet”, zonën politike të influencës, perandorinë e vet të interesave, për rikufizim të ca entiteteve tjera politike s’ishte e nevojshme gjithë ajo gjakderdhje, gjithë ajo tragjedi kolektive e popujve, ekzistonte një ngrehinë politike dhe shpresa ishte diç si “lulet mbjellur në asfalt”, për ndarje e ca kufinj të tjerë vallë pse duheshin gjithë ato luftra e gjakderdhje, pse gjithë ajo “…pështjellimë në rrjetin e gjakut, si zemër përjetësisht e uritur që nga gjoksi ulërin”, autorja thuase ironizon me vetë dhimbjen, me copëzimin e përgjakshëm të federates, me nacionalizmat e me ambicjet politike megalomane, me kufijtë e me ngatërresat, me kompleksitetin e “përzierjes” politike, me enklavat politike e demografike të popullsisë kroate, serbe, boshnjake etj…
(sguraziu)