Mina Loy – Guidë Hënore

GUIDË HËNORE
Mina Loy [ 1882-1966, Britani e Madhe ]

Lusifera e argjendtë
në Bririn e Bollëkut
u shërben kokainë

ca somnabulëve
si kofshë adoleshente
në cohëra satirike

Peritë veshur si shërbëtore
e përgatisin Lethanë
për snobizmat e pasvdekjes

Bulevardet jermatike
dehur me shpirtra
llambadarë infuzorësh
nga gur-varret e Faraonit
shpiejnë drejt apokalipsit
me hujet e merkurit

Oazë e neveritshme
në fosfor rrudhosur
dritë-qielli dritë-bardhë
si e bardha e syrit,
rrethore e epshit hënor

Elektro-yllësia shenjon
“Krahu shtriqet kah shtegu yjor”
“Karusel i Zodiakut”

Ciklonet e pluhurit
të dalldisur
dhe të hirit i shtjellojnë
ushtarët e kryqëzatave
nga fortesa imagjinare
prej qelqi të thërmuar
në krateret e shpëtimit

Një tufë ëndrrash
kullot në Nekropolis

Nga brigje oqeanesh
vezake në Orientin e oks-iduar
Odaliskat me sy oniksi
dhe ornitologët vëzhgojnë
fluturimin e Erosit dekadent

Dhe “pavdeksia” mykoset…
në muzeumet e Hënës
“Ciklopë nokturnal”
“Konkubinë e kristaltë”

Puçrrosur me personifikim,
fosili i virgjër i qiejve
dylloset dhe venitet

– – –

* Lusifera (Afërdita, Venera – mit. greke) – perëndeshë e bukurisë, e pjellorisë dhe e dashurisë, përshkruhet si vajzë e Zeusit dhe e Dionesë, ose e lindur thjesht nga shkuma e detit.
* Briri i Bollëkut (mit. greke) – Briri i dhisë (Amaltea) nga i cili thithte Zeusi i vogël, dhe i cili kur shterronte mbushej me fruta. Në përrallat e popullit, briri mbushej me gjithçka që pronari të dëshironte.
* Peri(të) – krijesa përrallore nga mitologjia persiane, qenie të bukura rrjedhur nga engjëjt “gabimtarë” dhe të përjashtuar nga parajsa, derisa pendimi i tyre të arrihet.
* Letha (mit. greke) – perëndesha e Harresës dhe një nga pesë lumenjtë në nëntokën… në Hades, ose në mbretërinë e vdekjes, nga cili lumë pinin të vdekurit për ta harruar jetën e tyre tokësore.
* Infuzorët – organizma ujor njëqelizor, mikroorganizma që janë të njohur si ushqim ideal për peshq të sapolindur (nëpër akuariume)
* hujet e merkuritfig. përdorur nga përkthyesi; i ndryshueshëm, jostabil, me vetitë e merkurit (zhivës)
* Nekropolis – varrezë e madhe me monumente madhështore, “qytet i të vdekurve” (nga greq.), termi zakonisht nënkupton një vend të veçantë varrimi në distancë nga qyteti
* Oniks – varietet i mineralit gjysëm të çmuar, agate (mineral nga familja e kuarceve) me ngjyra të ndryshme në shtresat.
* Odaliskë – (turqisht: Odalık) shërbëtore dhome ose femër shërbyese në një kompleks mbretëror, veçanërisht zonjat në pallatin e sulltanit. Odaliskat në artin perëndimor gjatë periudhës së Orientalizmit ishin subjekte të preferuara (shembull: “La grande odalisque” e v.1814 nga piktori neo-klasik francez, Ingres).
* nokturnal – i natës
(përgatiti: sguraziu)

– – –
© 1996 Estate of Mina Loy – Burimi: The Lost Lunar Baedeker: Poems of Mina Loy, 1996 – via Poetry Foundation, USA
© për përkthimin: S. Guraziu – Ars Poetica, 2018