Duane Niatum – Poezi Dashurie

POEZI DASHURIE
Duane Niatum [ 1938, ShBA ]

Mugëtira e fytyrës sate,
zogthi i panjohur në zërin tënd,
rishtas më sjell tek gjelbërsia e syve,

kënga jote për atë momentin
më të gjatë, brishtësi e hënës,
një Natalie e vetmuar,

në festën e Carolyn vite më parë,
ku më ftove afër vetes,
e unë mbajta zemrën, mbuluar me hije,

si sakrificë buzëqeshjes tënde,
izolimit tonë gojëmbël.

– – –
© 1991, D. Niatum – Burimi: Drawings of the Song Animals… (Holy Cow! Press, 1991), via Poetry Foundation, ShBA
© për përkthimin: S. Guraziu – Ars Poetica, 2016

– – –

Notë:
Duane Niatum është një poet indigjen amerikan, me prejardhje nga bashkësia autoktone “Klallam”, e që është një nga katër bashkësitë indigjene në veri-perëndim të Amerikës Veriore, kultura e indigjenëve “Klallam” është e klasifikuar etnografikisht dhe gjuhësisht në nëngrupin e ashtuquajtur “Coast Salish”. Dmth. fjala është për vendasit e vërtetë amerikanë, për para-kolumbianët e Amerikës dhe për pasardhësit e tyre.
Poeti D. Niatum është përmendur shpesh si pjesë e valës së dytë të “Rilindjes Autoktone Amerikane”, term ky i “farkuar” nga kritiku Kenneth Lincoln në librin e v.1983 me të njëjtin titull, për të kategorizuar rritjen e ndjeshme në prurjen e veprave letrare nga amerikanët indigjenë në ShBA, kah fundi i viteve 1960 e tutje.
(sguraziu)