Shqipëri, një përqafim!

S. Guraziu, 2010 (Skicë poetike…)

Zemrat si bova të bardha luhaten hapësirës së lëngshme të Jonit, nga dritarja një zemër do të ik, e unë vetë i ngujuar brenda zemrës, në një kafaz prej zogu metalik – si ta ndal, o ju brigje të diellosura, si t’ia sqaroj tani pamundësinë e rendjes… si fëmijë në përqafim të nënës, po vetë rendjen, atë domethënien e fluturimit pa krahë, kur zemra veç graviton rreth Diellit, tani kur vetëm llogaritja e çasteve, ato matematikat e orbitës, sa mund t’i rezistojë zjarrit sigla e fërkimit, kur përflaket qenia, vetë përkrenarja e krenarisë – pse, si shpjegohet, çfarë mund t’jetë fluturimi i zemrave me “taxi”, pos zhvendosje në hapësirat e mallit!

***
Atje poshtë syprina e mëndafshtë shkëlqen, ajo përkëdhelje rrezesh, o mrekulli, o dritë e vetë zemres, ju gjyshet ilirike me furkat tuaja, çfarë huazuat nga retë e bardha, cilin sekret të qiellit, kur kaq bukur e lëmuat atë push madhështie, kush duhet tani ta fshijë pluhurin mbi artistiken e perlave – ngutu pra mëmëdhe, bëhu ngutulushe, nxito si një Hederë aromatike, buzëqesh vallëzo, fluturo, ngrohu me Diellin, shpalose për botën gjithë bukurinë, sa portat e Jonit atje në Mesdhe hape zemrën, më prit dhe mua tani si një Narcis pa zemër – me zemrën në ajri, pa flatra jashtë krahërorit, gjoja zemër akrobatike, me lotët e valë dhe njëkohësisht të freskët në sytë, si vetë deti në syrin tënd kaltërosh – Narcis dhe Hedera në përqafim.