Bob Brooks – Monolog me Sorrat

MONOLOG ME SORRAT
Bob Brooks [ ShBA ]

Programi im, thashë unë,
është të marr ç’të sjell fati,
dhe t’bëjë ç’të mundem me të.

Njësoj si sorra, the ti,
zog i admirueshëm, që ha
çfarëdo pa jetë që bjen nga pema
ose që është lënë mbeturinë
pasi vetura t’ketë kaluar mbi të.

Mjaft ngjashëm si sorra,
thashë, ose si blerësi
në supermarket, kur blen
një lakër a biftek derri,
përderisa t’mos duhet ta vras
për t’jetuar vetë.

Përgjigje e mençur,
e çuditshme po ashtu, the ti –
përgjigje tipike sorrash.
Por nëse dikush tjetër duhet
ta bëjë për ty, nuk ndjehesh
dyfish fajtor?

Pikërisht kjo mund t’jetë
pse dhe tallemi rreth kësaj,
thashë, sorra dhe unë;
tani s’do doja t’i vë fjalët
në gojën e një sorre.

– – –
© B. Brooks – Burimi: “Poetry Magazine”, Qershor 1999
© për përkthimin S. Guraziu – Ars Poetica, 2019

– – –
(shënim – s. guraziu):
…pata përshtypjen, “monolog me sorrat” në fakt është një lloj solipsizmi mjaft i thellë filozofik, poeti vetëpërgjigjet me gjithë potencialin poetik, por gjoja dhe me “logjiken” e sorrës, anise i pashmangshëm “dorëzimi”, në fund të pusit filozofik ai vetë dhe mendja e sorrës po ashtu sikur e shohin që kanë prekur “teper thellë”, meqë analiza e humanizmit sorratik s’ofron tutje mjete të kënaqshme… më e lehtë thjesht të permbyllet gjithçka me një fund “humoristik”, duke i lënë gjërat njësoj siç dhe ishin.

…disa poezi të Brooks më patën bërë përshtypje pikërisht për qasjen aq të thjeshtë “solipsistike”, në një poezi tjetër ( e titulluar “Aq shumë rroba…” ) ai sikur gjoja “monologon” me qenushin e vet, e pyet si është e mundur në pikë të dimrit ti fare rroba ndërsa unë duhet të vishem kaq trash, gjithsesi “te dy jemi qenë të mirë” – sikur i thotë, aq shumë gjëra i kemi dallimisht-njësoj, psh. “kur jam në pyll, nuk qëndroj në mes të shtegut të urinoj, njësoj si ti edhe unë e gjej një lis…” 🙂