10-Vjetori i MH17 – Memoriali kombëtar si pyllishte e “gjallë” !

(s. guraziu – ars poetica, korrik 2024 – pak fjalë, dhe ca foto)

Sot në Vijfhuizen (afër aeroportit Schiphol të Amsterdamit), në Monumentin Kombëtar MH17, me rastin e 10-vjetorit të tragjedisë MH17, u mbajt ceremonia përkujtimore. Ishin prezent dhe Mbreti Willem-Alexander, ish-Kryeministri Mark Rutte, Kryeministri aktual Dick Schoof… dhe mjaft personalitete të larta nga vendi dhe bota. Më 17 Korrik 2014 një avion udhëtarësh në qiellin e Ukrainës qe qëlluar me raketë, me ç’rast e patën humbur jetën 298 persona.

Avioni i tipit Boeing 777 (Malaysia Airlines) me numrin e fluturimit MH17, qe rrëzuar pranë fshatit Hrabove, në lindje të Ukrainës. Avioni qe goditur qëllimisht me një raketë Buk, e cila sipas hetuesve qe lançuar nga separatistët pro-rusë në Donetsk. Të gjithë 298 pasagjerët, prej tyre 196 holandezë, e patën humbur jetën.

Monumenti Kombëtar MH17 është një objekt i veçantë hapësinor që synon ta mbajë gjallë kujtimin e 298 viktimave. Monumenti qe inauguruar më 17 Korrik 2017, nga të afërmit e viktimave gjatë përvjetorit, ose gjatë shërbimit përkujtimor të v. 2017. Qenë mbjellur 298 pemë në formën si pyllishte-shirit i gjelbër; një pemë për çdo viktimë, çdo fidane tek rritet e përfaqëson memorialin, e ruan kujtimin për njërën nga viktimat.

Dizajni i pyllishtes përkujtimore bazohet në “shiritin e zisë, apo të lamentimit”, i cili dizajn qe zgjedhur si simbol nga të afërmit e viktimave. Llojet e pemëve qenë zgjedhur duke u shërbyer me ekspertizën… në konsultim me arkitektin mjedisor-hapësinor (shih grafikën ngjitur, nga 298 pemët i zgjodha ca sosh si shembuj, si ilustrim sadopak më i qartë i memorialit). Në shumë kultura të botës pema simbolizon “shpresën” dhe “ardhmërinë”, pra është përzgjedhur si simbol i fuqishëm, si simbol i ardhmërisë.

Pyllishtja e gjallë monumentale do i mbajë “gjallë” viktimat, përmes pemëve përkujtimore në mënyrë metaforike të gjitha 298 viktimat do jenë mes nesh. Shiriti lamentues është i rrethuar nga një “unazë lulediellore”, luledielli lulëzon gjatë korrikut. Lulja e lulediellit u referohej dhe fushave të lulediellit në Ukrainën lindore, ku atëbotë qenë gjetur disa pjesë të avionit të rrëzuar.

Përveç pyllishtes, memoriali MH17 përfshin dhe një mur prej çeliku të lakuar dhe instaluar në formë “amfiteatrale”, si dhe një objekt monumental në formë disku. Objekt-monumenti antioksidues ka një sipërfaqe të lëmuar dhe ku në formën e një “poezie spiralore” janë gdhendur emrat e 298 viktimave.