SG – Transparenca (II)

TRANSPARENCA (II)
S. Guraziu, 2019

E lexova dritën e saj,
librin e ri, e gjitha si qelq,
e tejdukshme,
krijesë e kristaltë – thuase
shpirt “mannequin”
prej drite, në vitrinë
reklamon fustane poetike.

Qelqurinë e mbyllur
në xhama, “Mona Lizë”
shpirtërore, s’shihet
asgjë brenda, as rrahje
as ndjenja, në dukje
zemër boshe, misterioze,
pa frymë, akullsisht
stoike, padyshim
dhe tekanjoze.
Zemrat e kristalta
thyhen lehtë, e di,
duhet kujdes me gjithçka
të qelqtë, s’më shitet
fjalë e thjeshtë,
vetëm “të dua” s’ia vlen,
nevojitet diç e ëmbël
dhe njëkohësisht e mprehtë,
si tehurinë diamanti,
duhet pikërisht “absurdi”,
natyrisht, jam varfanjak,
do e hulumtoj “tregun e zi”
të fjalëve, pasi legalisht
nuk u shiten hajnave,
e ndaluar është
vjedhja e zemrave.

 

***
..rrallë me poezitë e me vjershat, por e lexova një postim të një vajze (mbase nga Tirana), fare shkurt me poezinë e vet “Kush të më thotë, të dua!” sikur çuditej pse i dashuri tërë ditën askund, dhe do ketë harruar t’i thotë “të dua”… imagjino 1 ditë të tërë (quhej Zanë) dhe unë sikur buzëqesha, s’kisha mundësi t’i thosha “moj Zanë, e mua që s’më tha kush për 1 dekadë ‘të dua’, ç’të bëj unë i ngrati, ti ankohesh poetikisht për 1 ditë të vetme, 1 ditë pa të dashurin dhe sakaq ‘akrepat e orës tënde paskan stopuar’ – jooo moj Zanë, s’duhet ngutur, ku i dihet, ndoshta i dashuri mund t’jetë i ‘vonuar’ nga fjalët por jo dhe nga ndjenjat, jepja sëpaku nja 1 javë, nja 10 ditë, ndoshta i ngrati është duke bërë çmos për t’i gjetur, duke hulumtuar për fjalët, duke hulumtuar dyqanet (duke menduar për unazën), duke i hulumtuar libraritë, “tregun e zi” të fjalëve, merre sadopak si ngushëllim vetë faktin tim, kujtohu që ka shpirtra të mjerë dhe mbi 1 dekadë, s’duhet kthyer në dramë poetike 1 ditë të vetme : )
– – –
Tërë ditën / zërin tënd të ngrohtë desha ta dëgjoj. / Prita një fjalë a një varg / i dashur / fjalët e botës i përpiva në pritje / e pos pritjes asgjë s’u shfaq. / Brenda katër mureve strukur / pa frymën tënde / as akrepat e orës nuk lëvizin. / Kush të më thotë: të dua… (Zanë Mali – postuar në Albspirit)
– – –
(s. guraziu – 5 dhjetor 24)