SG – Jashtë Parantezës, 2014

JASHTË PARANTEZËS
S. Guraziu, 2014

(finis vitae sed non amoris)

Në fillim gjithçka është djerrinë,
një pikë uji e shpon gurin,
por tokën s’e mbars fjala,
fara boshe, s’ka zanafillë
pa frymën e dashurisë,
lëkurënjomë mbi gurë
i njohim filizat e frikës, ligjet
e logjikës, e njohim zvarritjen,
si hardhuca të dritës, lakuriq
nën diellin e pafajësisë, që
nga thirravaji i parë sikur
e dimë: s’do ishim nisur
kurrë kah drita pa dashurinë.

Parandjenjat tona stampuar
qelizave, në secilin gjen, diç
sikur na flet: s’ka tjetër shteg,
dhe frymojmë, dashurojmë,
ushqehemi me ëndrrat, dehemi
për një jetë, e marrim vulën
e kthimit diku në “mesjetë”,
kthehemi me t’njëjtën biletë;
në ardhje frymën si dashuri
e pranojmë, në ikje dashurinë
e gjithë jetës… si frymë
duhet ta dorëzojmë.