Franz Kafka si Letraxhi, dhe si Filopornist* i madh!

S. Guraziu – Ars Poetica, M 2016 (Humoreskë – Letër fiktive (kafkaeske)

Në njëfarë mënyre, ti je material poetik; je e ngjeshur me delikatësi të maskuara të cilat… kam dëshirë ta shpenzoj gjithë jetën duke i zbuluar. Fjalët shpërthejnë në prezencën tënde, dhe pluhurin e tyre ti e bart në poret e individualitetit të lehtë, të papeshë” – Franz Kafka (nga letërkëmbimi me Milena Jesenska)


Fotot: 1 – Felice Bauer 2 – Milena Jesenska (“muzat” e Franz Kafka (1883-1924)

***
E dashur [ vendi i emrit ], e shtrenjta Muza ime, ende s’të kam takuar por i bindur jam se një ditë do t’ndodhë. Vonesa është çështje tjetër, por besoj e pashmangshme, e shkruar është, do jesh Muza më madhe e jetës sime. Ndonjëherë e imagjinoj ngjyrën e syve të tu, herë më bëhet do t’jenë të gjelbër, herë tjetër i imagjinoj të kaltër, por thjesht një detaj ky… pasi ndoshta mund t’jesh dhe syzezë. Pra që tani imagjinata ka filluar, dhe secilën herë më e qartë, më “reale”, njësoj siç Kafka e imagjinonte Feliçen e vet.

Pastaj kur e pati takuar, mos pyet, s’do ishte më kurrë njësoj. Kafka ishte një “letraxhi” i madh, i paarritshëm, vëllimi “Letrat Feliçes” i përfshin më shumë se 500 letra, të cilat Feliçja i pati ruajtur me kujdes. Për fat të keq, jo dhe Kafka letrat e saj. Ose ndoshta dhe t’i ketë ruajtur, por deri sot nuk janë gjetur.

Gjithsesi dua të të siguroj: s’jam si ai! S’kam asgjë nga ato veset që Kafka i kishte, s’kam as gjenialitetin, e qartë kjo, as penën e tij. Megjithatë, edhe sikur t’ishte e mundur ta “imitoja”… s’do ta bëja, kurrë s’do shkruaja si ai. Më me dëshirë do t’ngelesha ky që jam, origjinal. Sepse, sipas meje, ai ishte fals. Kafka e përdorte imagjinatën thuase na rritej diku në fushë, diç si lulet… diç ngjashëm si fushat e paskajshme me tulipanë të Lulandisë. Ai thjesht ishte një “fabrikues” i materialit imagjinar-poetik.

Ta them se ka shumë dallim, dhe ky dallim pra është vetë “dallimi” mes nesh. Imagjinata kafkaeske ishte sintetike, e stisur. I bie njësoj sikur t’provosh ta falsifikosh mëndafshin e natyrshëm kinez me mëndafshin sintetik. Ç’është e vërteta, kinezët mbase mund të “imitojnë” gjithçka të kësaj bote, madje dhe pëlhurat më të shtrenjta të Versace. Mirëpo thelbi është – kinezët s’mund ta falsifikojnë vetë natyrën, vetë mëndafshin natyral kinez.

Kafka madje dhe gratë e huaja i quante “muza”. Kjo vërtet bie n’kundërshti me falsitetin, bie ndesh me karakterin e tij…, dua të them, bie në kundërshti me Kafkanë e vërtetë. Fjalët e tij për bukuroshen Milena s’ishin tjetër veçse “fabrikazh”, kontrast i kulluar me karakterin. Ka dhe prova të “kontradiktës”, mos u brengos, s’jam duke dërdëllitur kot.

Disa vite më parë, një autor (emri i të cilit për momentin m’ka ikur nga mendja) shkruante:
“e lehtë të mendosh për një Kafka si shkrimtar “celibatik” a beqaresk, madje dhe aseksual, pasi mungesa e erotizmit është evidente në aq shumë shkrime të tij”. Autori vazhdonte tutje me faktin që një autor tjetër para tij e kishte shpalosur të vërtetën se “Kafka ishte një vizitor i apasionuar i bordeleve e Pragës”. Shkurt, të dy autorët na e thonë të vërtetën se Kafka ishte një filopornist i madh!

Gjithashtu… të gjithë e dinë, Kafka vetë kurrë s’e pati mohuar shoqërinë e prostitutave. Aq shpesh i vizitonte, aq shpesh e vizitonin. E kishte “pushkë” me prostitutat e Pragës e të Vjenës. Madje s’e pati mohuar as koleksionin pornografik, ishte “mbledhës” i bukurosheve dhe poshtë shtratit, edhe Kafka ishte një “playboy”. Ca sosh i ngjiste mbase në muret e dhomës, njësoj siç ia bëjnë dhe poetët e rinj sot, njësoj siç ia bënte ndoshta dhe Jesenini dikur, njësoj siç ia bëjnë dhe studentët e internatit.

Kafka thjesht ishte një “minator” fjalësh, minator i imagjinatës, një gërmues fort i zoti, s’ndalej së gërmuari thellë në zgafellat imagjinare të vetmisë së vet. Dhe pra duke qenë një pornofil i pandreqshëm, duke qenë një filopornist i njohur, sikur i pëlqente të përhumbej jashtë mase me fjalët e imagjinatës “poetike”. Ashtu siç dhe Jesenini ia bënte në kohën e tij. Të gjitha bordelet e Moskës e dinin, s’kishte ndonjë fshehtësi se prej nga i vinin frymëzimet.

E dashur [ vendi i emrit ], e panjohura, më e ëmbla e imagjinatës, Muza ime futuriste… po e mbyll me shpresën se me “materialin poetik” të letrave të mia do t’ngjallet buzëqeshja jote. S’njihemi, ende s’jemi takuar, buzëqeshjet tua mund t’jenë dhe të shtrenjta, por kujtohu që ëndërrat në të kaluarën gjithmonë falas ishin. Ta mbaj mendjen gjithë ditën tek ty, kohëve të fundit s’është ndonjë diç “e çuditshme”. Në njëfarë mënyre, çdo ditë e më shumë je duke u bërë “lëndë djegëse” e fantazisë sime : )

*filopornist – ai që ndjehet mirë me vizitat tek prostitutat, pëlqim, konformizëm me prostitucionin