“Në mediat e përditshme ka faqe kulture, por ato janë asete të brendshme miqësish. Këtë e di. Nuk besoj se njerëzit lexojnë më gazeta. As portale. Pra, është një situatë katastrofike që nuk e merr vesh çfarë ka, çfarë ndodh, ç’është, kush? Është një amalgamë që duhet trajtuar, marrë seriozisht, nëse ne do dëshirojmë të kemi një pamje sa më të qartë të shkrimtarëve.” – Agron Tufa, 2018
[ mësova se Agroni paska thënë kështu me rastin e debatit mbi lexueshmërinë në stendën “Onufri”, gjatë ditëve të panairit të Librit, Tiranë, 2018 – s’kam ditur më parë, thënien e Agronit e lexova me 5-6 vite vonesë.. por më erdhi mirë që e paska “hetuar” dhe ai problematikën, e paska thënë troç e shkurt “asete miqësish” – më erdhi mirë : ) sepse dhe unë vetë e pata “shkapuritur”, në v. 2011 me “gjuhën e poezisë”, dhe në v. 2019 me “gjuhën e komentit ordiner” në Fb, Facebook ]
“…parametrat e kritikës (në akëcilin drejtim) për krijuesit jane diç si “orientirë”… por problemi është tejet i rëndë kur është fiala për pseudo-kritikët, e sidomos shqetësues është fenomeni me të ashtuquajturit “kritikë teknikë” të shtypit shqiptar, miqtë-poetë (në kuadër të një klanokrature të caktuar) natyrisht kanë miqësi dhe me mediatikët, ka sa të duash gazetarë që janë dhe “poetë”, shkruajnë për njëri-tjetrin lloj-lloj “esesh” glorifikuese, shkencë letraristike artifiça përplot me hiperbolizma marramendës, sot unë për ty… pas 2-3 vitesh ti për mikun tim, miku im pastaj për mikun e mikut tend, dhe kështu “zënie argat” – këtë temë dikur madje e pata “rrahur” dhe vjershërisht (shih Kurorë Gjembash, poezi e v. 2011) [ Senad Guraziu – Koment në Fb, 14 Nëntor 2019 ]
***
KURORE GJEMBASH
Senad Guraziu, 2011
Padyshim duhet të jetë çmenduri
ta ndjekësh vetë hijen, mbyllur në xhama
të provosh ta puthësh Mona Lizën,
t’i quash sytë e saj burim rrezesh, spektroskopi
infra-e kuqe, shufra blinduese prej drite,
masë sigurie për “trezorin” hyjnor artistik,
roje për buzëqeshjen enigmatike,
prandaj gjykimin ta peshosh
në mustakun e Duchamp, dhe ngutshëm
ta sjellësh konkludimin: s’ka kush,
s’ka hajn të botës që mund ta vjedh
zemrën e saj… në Louvre.
Pa brus ndjenjash, ta kaptosh estetiken
e secilit trëndafil, të secilës petale,
çdo mimozë regjionale, secilën lule
të botës si herbalist romantik pa e këputur
ta kornizosh, me puthje ta varësh
në breg të Venerës, pa shtytës, pa fibra
emocionale, pa dridhje, pa timbra…
ta quash “xigëlushe”, epiqendër të ndjenjës,
rënkimet t’i përthithësh – artistikisht
ta zbukurosh, t’i falesh orgazma
vetë idesë së ekstazes, të “bukuren”
e korbave në sy mjellmash ta bësh
aq tërheqëse, si sekreti i buzëve të ML,
natyrale si pafajësia, si virgjëria – e vetë
të klithësh, të rënkosh, të përjetosh
shkrirje në të kuqen deri në përgjakje,
si luleshtrydhet ballit të kullosh,
gjemba germatikë, kurorë e marrëzisë,
padyshim profet… vetëflijim, pseudo-kritik
arti në vertikalen e “fajit” të Kalvarit.