SG – Euridika (Qaralaçe), 2011

EURIDIKA (QARALAÇE)
S. Guraziu, 2011

Si një mace lozonjare,
si ironi hatibiane, lodron
“lëndinës së gjelbërt të syve*”,
e largët, si dashuri e humbur
në “Albanania*” – vetë
ashtu-kështu i humbur,
humbës pa humbur gjë – jo
si Orfeu (totalisht i mjerë),
s’jam si ai fatkeq, s’ke si
humb diç që nuk e ke –
tani nëse pandeh duhet
të të “dua me çdo kusht*”,
të mbledh shkarpa, t’i fryj
zjarrit që s’na ngrohë
as mua as ty, se gjuha
e dashurisë është poezi,
tingull lire, elegji,
hyrje-dalje në errësirë,
gjuhë e lëmuar nga flakët
e thellësisë, atëherë
më dhimbsesh, dhe jo –
të dyja njëkohësisht,
natyrisht, më dhimbset
pastërtia e flakës blu, stralli
i zemrës, shkrepjet kot,
xixat, prushi i ndjesisë.

(* figuracione të huazuara – qasje poetike e Ervin Hatibit, poeti Hatibi aq bukur na i pati përshkruar “mjaullimat” e pafajësisë : )

Piktura : Frederic Leighton (1830-1896) – “Orfeu dhe Euridika“, 1864