SG – Harmonia e Botëve, 2000

HARMONIA E BOTËVE
S. Guraziu, 2000

E shikoj nga lart
më duket i vockël, guralec
jam shumë lart, në stratosferë
vallë si do t’i dukem atij!?
Padyshim mizë…

Zbres butësisht shkallëve
të qiellit, tani jam
në “ground zero”, pranë
gishtit të këmbës së tij,
trullosje, alivanosje nga
përmasat, i ngjanë
Statujës së Lirisë, aty-këtu
glasuar nga pëllumbat

Në sytë i shoh atë që druaj
zbraztësinë gjigante,
boshësinë e tmerrshme,
jehun e brendësisë – gëzhojë,
çmimin e harmonisë së rrejshme.

I madh dhe pa krahë,
ngrehinë groteske e lëngimit,
peng mbi urën e brendësisë
dhe jashtësisë,
jo i denjë të ngrihet në qiell,
i lirë mbi signaturën e shpirtit,
peng i anatomisë së avulluar.

Chad Knight – Digital Conceptual Sculpture