SG – Urtësia dhe mllefi i një pëllumbi, 2004

URTËSIA DHE MLLEFI I NJË PËLLUMBI
S. Guraziu, 2004

(Ia fal Ardianit)

bardhoshë që nuk pipëtijnë
dhe hanë fluska sapuni
me shkopinj kinezë, i thanë…
ti ke zemrën të bardhë
je krenar-faqebardhë
me punën tënde, përkushtimin
i ke zbardhur fytyrën tufës

atij desh iu zu fryma
diç e bardhë i ngeli në fyt
si një topth ping-pongu
u shkund, lëpiu sqepin

pastaj mendoi…
i bardhë nga brend e nga jashtë
gogëlush, rrumbullak
fluturosh me të vërtetë
por ç’e do, pendël i lehtë
me tërë forcën të të godas
të ngel buza në gaz

dhe konkludoi…
me një plesht fillikat
qoftë dhe drangua-bardhosh
nuk pushtohet jorgani
me fluska n’erë – dimër e verë
nuk ec gomari as tellalli

sëfundi ulëriu…
o ju bardhoshë gojëmbël
ma nxitë mendjen fare
edhe zemrën-dëborë
do t’ma bëni katran
si kujtoni me fluska n’erë
ta shëroni një Çmendustan!