Apoteozë e Fjetur

S. Guraziu, 2002

(bota e njeriut është e madhe dhe s’mund të lidhet si bohçe, me gishtin mbi nyje!)

Në paskajësi, me gisht të këmbës, vizatim
mbi rërën prej galaktikash, buzë Detit të Zi
një frymor i shkretë, kërmill i vogël si hiç
zvarritet jargosur urës së madhe
gjer në dhimbje, mbi Goldën Gejt
disku i diellit matanë dhe kët’anë
në perëndim, një trilion herë u përskuq
në lindje, një trilion herë u bë limon.

*
Rrugëtimi i takon prapë njëmendësisë
e hapat sërish kanë një melodi të virgjër
në timpanin e veshit të qenësisë
të tjerat… kambanat, piramidat
ëndrrat mëkatare, marrëzitë e së tashmes
në tehun e hipotenuzës – mprehtësuar
disleksi e përkohshme, gala-gënjeshtër
në sythet, bisqet e filizat e së ardhmes.

*
Ti o Diell, panteoni i marrëzisë sime
qeshu me mua, s’i kam hapat e tu
në mundim, gjakosje, përcëllim
si duket skaji yt i urës ende nuk di
s’më ndihmon as teorema e Pitagorës, Euklidit
t’i llogaris trilemat e panumërta
nëse takohemi, mbase në Big Bang-un tjetër
do njohësh zjarrin tënd në shpirtin tim.

Foto: Ian Knight – Golden Gate Sunset