(S. Guraziu – Ars Poetica, 19 Qershor 2025 – analizë e sterholluar “analitike”, rreth analizave atomike)
…parodizimit me analizat atomike [ Irani e ka 50-fishuar Uraniumin, dhe i ka me dhjetra Nukli-bombash! ] ia shtova + 2 video-shkëputje rreth Programeve Atomike të Iranit dhe të Izraelit, në të cilat, ekspertizat ndërkombëtare e bëjnë mjaftueshem të qartë se luftënxitja dhe vrasjet e “luanërve atomikë” nuk justifikohen, retorikat e luftës dhe qëllimet e tyre nuk justifikohen, gjakderdhjet dhe terrori, gjithë ato viktima dhe kataklizmat humanitare, politikat gjenocidale, vrasjet dhe sulmet ndaj popujve në paqe janë të pafalshme…
***
Me ndihmën e ShBA, programi bërthamor i Iranit pati filluar në v. 1957. Në atë kohë, dikush tjetër e sundonte Iranin, monarku miqësor ndaj Perëndimit – siç shprehen amerikanët, ashtu shkruante CNN (meqë duhet nënkuptuar që tashmë nuk janë miq, që nga Revolucioni Islamik, s’ka më miqësi. Me mbështetjen e ShBA, në kohën kur ishin miq, Irani ia filloi me zhvillimin e programit për energjinë bërthamore (dmth. në vitet ’70 të shek. të kaluar).
Mirëpo amerikanët u tërhoqën me mbështetjen e tyre kur Shahu u rrëzua gjatë Revolucionit në v. 1979. Sipas amerikanëve, që nga Revolucioni e tutje, i cili e transformoi Iranin në një Republikë Islamike, vendet perëndimore (sidomos Izraeli “joperëndimor”) janë shqetësuar tepër shumë se Irani mund ta përdor programin bërthamor të energjive paqësore për të prodhuar armë atomike… të cilat dihet, nuk shërbejnë gjë tjetër por t’i bombardosh të tjerët (psh. japonezët) apo t’i kërcënosh të tjerët etj.
Tekefundit, ashtu ia bën Amerika prestigjioze, ashtu kërcënonte BRSS-ja e dikurshme, ashtu Federata Ruse e mëpastajme, Izraeli… etj. të gjithë me kërcënime, me kondita politike e me përfitime. Ndokush dhe jo, ka ca shtete nuk e kërcënojnë askend tjetër përveç “veten… gjysmën tjetër të vetes” (me gjasë ashtu ruhet balansi i plotësisë). Psh. India dhe Pakistani kurrë s’e kërcënojnë askend, kishin nevojë për “atomikat” bombastike vetëm që ta kërcënonin njëri-tjetrin, si shtete të mëdha, të paskajshme. Imagjinoje pakëz Izraelin t’i kërcënonte Indinë, Pakistanin, Kinën e paskajsme… siç para ca ditëve ia bënte me “shkrumbin e Teheranit” !
[ video: IAEA About Iran’s Nuclear Program, Extracts, Al Jazeera, June 18-19, 2025 ]
Irani gjithmonë ka pohuar se nuk kërkon të ndërtojë armë bërthamore. Vlerësimet ndërkombëtare, me IAEA e me gjithçka, përfshirë dhe analizat nga komuniteti i inteligjencës amerikane (dmth. CIA dhe panumër këso organizatash të 50 shteteve bashkë, së bashku me 1001 spiunë-organizmash tjerë të kësaj bote, që u ndihmojnë CIA-ve, madje CIA paguan me miliona $ shpërblim për 1 info të saktë, nuk u dhimbsen), thonë se programi bërthamor i Iranit aktualisht nuk është i drejtuar as i “hutuar” kah armët.
E megjithatë, kjo nuk do t’thotë që Irani s’ka kapacitet ta ndërtojë bombën, nëse të donte – thonë amerikanët. Mirëpo kjo fare lehtë e kuptueshme, këtë e dinë dhe fëmijët, sikur dhe e gjithë bota. Mund të mendosh tërë jetën ta vrasësh ndokend – por nëse kurrë nuk e bën, 100% ngelesh i pafajshëm, dhe kurrë s’të fusin në burg. Dmth. Irani gjithmonë ka patur dhe ka kapacitet, nëse t’i tekej. Të dihet se Irani ka kapacitet (nëse t’i mbushej mendja) dhe ta sulmosh duke e akuzuar se “na i qenka mbushur mendja” janë 2 gjëra totalisht kontradiktore dhe të çuditshme.
Deri tani, për nja 30 vjet Irani e ndoqi rrugën paqësore me programin atomik (derisa z. Natanjahu duke alarmuar me pompozitet, sepse ky ka më shumë info se amerikanët dhe se IAEA), Iranit nuk i interesuan bombat por vetëm energjitikat, dmth. elektrikat e majftueshme për t’i përkrahur fabrikat dhe zhvillimin, për ta përkrahur industrinë e madhe të një populli 90 milionësh, për t’i përkrahur nevojat paqësore të një populli paqësor. Popujt e mëdhenj, fare natyrshëm kanë nevojë për shumë energji, sepse ekomikat dhe industritë e tyre janë të “pangopshme”. Gjermania 80-milionëshe bën t’mos “ngopet” me energjitikat, ndërsa Irani u dashka t’i “gjunjëzohet” Izraelit për lejen e atomikave energjitike! Ndoshta dhe Gjermania 80-milionëshe duhet t’i lutet Izraelit…
Të gjithë e dimë, kemi “dëgjuar” çfarë thotë Natanjahu rreth atomikave të Iranit, i ka 30 e kusur vjet duke e akuzuar Iranin për “politikat djallëzore, për ndërtimin e bombës atomike” etj etj. Tashmë sëfundi, para 1 jave dhe e sulmoi, me raketash e me sirenash, desh i shashtisi fëmijët e qyteteve të Iranit, dhjetra e qindra të vdekur (gjoja sulmoi vetëm Izraeli, anise e gjithë bota e di se forcave ajrore izraelite, për operacione të tilla larg shtetit amë, u duhet dhe ndihma amerikane, britanike etj. Qëkur avionet e avancuar F-35 të Izraelit, blerë nga ShBA, janë të shtrenjtë janë vegla high-tech, e saktë kjo, secili avion i tillë kushton mbi 100 milionë, por dhe hanë si të babzitur, duhet të furnizohen me karburant në ajri, gjatë operacioneve e sipër. Shkurt, qëkur distanca më e shkurtër ajrore mes Izraelit-Iranit është afro 1800 km, e gjithë bota mbarë e di që operacionet e Izraelit pa amerikanët janë diç e pamundër – përveç me raketat ballistike.
Andaj dhe z. Trump, 2-3 ditë më parë, me shumë të “drejtë” dhe me ego-n e stërngjeshur të krenarisë, nga heshtja një-javore sakaq e rrotulloi retorikën në “Ne”, tashmë “Ne e kemi kontrollin ajror të Iranit”. Se Izraeli për të tilla opearacione s’mundet pa Amerikën, mund t’mos e dinim vetëm ne, që nuk i “dimë” çështjet e ushtarakëve, që s’kemi menduar për të tilla gjëra, që s’na interesojnë luftrat dhe detajet e ushtarakëve – të tjerët të gjithë e dinin, garant, dhe e dinë punën e zotësisë së Izraelit me luftrat e me sulmet.
Sa e sa kohë po bëhet që IAEA e përsëritë, thotë se nuk ka gjetur asnjë “shenjë” se Irani është duke u marrë me ndërtimin e ndonjë bombe atomike. Edhe inteligjenca amerikane thoshin se nuk kanë gjetur gjë, as afër për të qenë gjoja sulmi ushtarak ndaj Iranit i “justifikueshëm”. Dmth. e kemi fjalën për “justifikimin” e të fuqishmëve, siç janë psh. Izraeli, ShBA, britanikët, rusët etj. sepse kur je i fuqishëm, kur je “luan” ti vetë i cakton rregullat e lojës, vetë e matë vetë e prenë, vetë e cakton vetë e shkurton, vetë kutin vetë gërshërët, s’guxon të të përzihet kush.
E gjithë bota mbarë, në njëfarë mënyre, çuditet për “standardet e dyfishta” dhe për lojën e pandershme të “politikave atomike”, psh. Irani censurohet, përcillet, kërcënohet, dënohet, sanksionohet, sulmohet… por vetë Izraeli kurrë. Programet atomike të Izraelit, edhe nga IAEA sikur janë programe të “përkëdhelura”, gjithçka që bën Izraeli janë programe të “llastuara”, programe paqësore, bombat atomike të Izraelit konsiderohen diç si “strategji sekrete” të vetë Amerikës (dyshohet se janë mbi 90 bomba bërthamore, dhe se Izraeli ka kapacitet t’i bëjë gati dhe 300 të tjera brenda një kohe të shkurtër – aspak s’u duhet “ndihma” amerikane, sa për bomba Izraeli ia del dhe vetë).
Sidoqoftë, sipas izraelitëve dhe sipas amerikanëve (më së lehti të thuhet sipas Natanjahut), Irani është më afër se kurrë për t’patur armë bërthamore. Irani e ka rritur ndjeshëm programin e pasurimit të uraniumit, që nga atëherë kur Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore në v. 2018. Irani ia filloi me rreth 150 kg uranium të pasuruar në përqindjen ose gradën 3.6% – që është e mjaftueshme për reaktorët bërthamorë, dhe për programet paqësore bërthamore – mirëpo për fat të keq tani Irani e ka 50-fishuar nivelin e v. 2018 – kështu “justifikohen” amerikanët.
Zhvillimi i programit të pasurimit bërthamor të Iranit që nga v. 2018 (sipas amerikanëve, që nga tërheqja e Trump, ishte si vijon).
Të dhënat amerikane thonë se para v. 2019, Irani iu përmbajt kufizimeve të marrëveshjes bërthamore për uraniumin e pasuruar me përqindjen 3.67%, thonë se atëbotë i kishte 149 kg me pastërtinë 3.67% (Uranium-235). Gjatë v. 2019 Irani i shkel gradualisht kufizimet e marrëveshjes bërthamore duke i tejkaluar kufijtë e rezervave dhe duke e pasuruar uraniumin deri në gradën 4.5%. Tashmë Irani i kishte 213 kg të gradës 3.67%, dhe 160 kg të gradës 4.5%.
Një vit më pas, 2020, rezervat rriten, veçanërisht ato të uraniumit të pasuruar 4.5%, tashmë Irani i kishte 215 kg të gradës 3.67% dhe 2228 kg të gradës 4.5%. Vitin në vazhdim, 2021 amerikanët flasin për përshkallëzim të madh sa i përket pasurimit të uraniumit në gradën 20% dhe 60%. Monitorimi i IAEA-s qe dobësuar, por administrata e Biden e merr kontrollin rreth “kontrollit” dhe mbikqyrjes. Tashmë, në v. 2021 Irani i kishte 560kg të gradës 2%, 1622kg të gradës 5%, 114kg të gradës 20%, dhe 18kg të gradës 60%.
Vazhdojmë tutje, gjatë v. 2022 Irani i rrit rezervat e uraniumit të pasuruar të gradës 60% dhe njofton për planet e zgjerimit të një strukture centrifugimi. Tashmë Irani i kishte 1845kg uranium të gradës 2%, 1030kg të gradës 5%, 386kg të gradës 20% dhe 62kg të gradës 60%.
Pason e 2023-a, papritmas IAEA gjen “gjurmë” të pasurimit të uraniumit prej 83.7%. Mirëpo siduket do ketë qenë diç si “gjurmë” e gabuar, janë ndezur dritat e kuqe mirëpo kuptohet alarm fals, gjurmë e ngutshme, instrumentet e IAEA do kenë qenë jo bash në kulmin e lartësisë (gjithçka matet me instrumente, uraniumi nuk nuhatet me hundë), Irani “justifikohet” se ka patur “luhatje të paqëllimshme” instrumentale të këtij pasurimi të uraniumit, dhe IAEA e pranon se Irani nuk është marrë me pasurimin e uraniumit mbi gradën 60%. Dhe kështu, gjatë 2023 Irani i kishte 1217 kg të gradës 2%, 2218 kg të gradës 5%, 567 kg të gradës 20%, dhe dyfishuar, nga 62 kg të v. 2022 tashmë 128 kg të gradës 60%.
Edhe gjatë v. 2024 rezervat e Iranit të uraniumit të pasuruar 60%, sipas të dhënave amerikane, u rritën ndjeshëm, tashmë Irani i kishte 2191 kg uranium të gradës 2%, 2595 kg të gradës 5%, 839 kg të gradës 20%, dhe 182 kg të gradës 60%.
Tani jemi në muajin Qershor të v. 2025, tashmë amerikanët thonë se Irani posedon material të mjaftueshëm për t’i patur 10 bomba bërthamore, nëse (nga grada 60%) uraniumi të pasurohej më tej në gradën 90%. Dmth. “nëse”, s’është nevoja për euforizime, duhet theksuar “nëse”! Të dhënat e amerikanëve janë nga raporti më i fundit i monitorimit të IAEA (Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike), që i monitoron këto çështje secilin vit, të dhënat e IAEA janë aktualizuar më 17 Maj 2025.
[ video: About Israel’s Nuclear Program, Extracts, Al Jazeera, June 18-19, 2025 ]
Shifrat e kilogramëve të uraniumit të “pasuruar” janë shtuar, por Irani nuk është marrë me uraniumin e bombave, as me pasurimin e mëlartësishëm të uraniumit nga grada 60% (për ta patur gjoja për bombat). Tashmë, në v. 2025, shifrat e uraniumit të Iranit janë 2221 kg të gradës 2%, 5509 kg të gradës 5%, 275 kg të gradës 20%, 409 kg të gradës 60%.
Është për keqardhje sa e lehtë të merret njeriu me spekulimet, me euforizimet, me akuzat e pabaza, me intrigat, me shpifjet, me sulmet, me vrasjet e popullsisë së pafajshme, e gjithë bota mbarë e di që motivet e tua dhe presioni ndaj Iranit nuk janë as të sinqerta, as valide, as të justifikueshme me asnjë “pikë” të arsyes së shëndoshë. Përveç se janë të lidhura me mendësitë “luaneske”, me luftrat e inskenuara, me shërbimet e ndërsjella për tregtinë e armatimeve, për industritë ushtarake… akuzat e tua dhe sulmet me asgjë tjetër nuk përputhen.
Vetë shefi i IAEA thotë se nuk është gjetur gjë, asnjë shenjë për ta akuzuar Iranin, për t’ia “drejtuar gishtin” Iranit, e aq më tepër për ta sulmuar dhe për t’i nisur luftrat. Ato disa gjëra me të cilat nuk ishte e “kënaqur” IAEA ishin dhe janë jurisdiksion vetëm i IAEA, vetëm ekspertët e IAEA kishin dhe kanë të drejtë ta QORTOJNË Iranin, askush tjetër, asnjë entitet politik, asnjë shtet, asnjë sulltanat a perandori e kësaj bote. Sepse Irani s’ka shkelur asnjë ligj, asnjë “direktivë” të IAEA.
Pikërisht si bazë e “pabazë”, si ves i media-euforisë, amerikanët vetë e shtrojnë pyetjen, dhe vetë përgjigjen për publikun “sa kohë do i duhej Iranit për t’patur uranium të klasit të armëve?”. Sepse është “model” për ta shtruar rrugën psikologjike të opinionit publik (për justifikimin e luftrave), gjithmonë dhe secilën herë. Vetë pyesin dhe pastaj përgjigjen, Irani (nëse t’i tekej) mund t’kishte mjaftueshëm uranium të pasuruar për 1 armë bërthamore brenda 2 ditëve e gjysmë. Mirëpo dihet që vetëm uraniumi nuk mjafton për t’patur armë bërthamore të zbatueshme, apo funksionale, kështu që do duhej më shumë kohë për ta pasuruar uraniumin dhe për ta zhvilluar 1 bombë funksionale. Po t’i tekej Iranit, nëse t’i mbushej mendja, brenda 5 muajsh mund t’ketë mjaftueshëm uranium për 22 armë bërthamore – thonë amerikanët. Thjesht 2.5 ditë i duhen Iranit për uraniumin e 1 bombe, dhe vetëm 5 muaj për 22 bombash bërthamore – shkruajnë gazetarët e CNN.
Problemi i “politiko-analizave” amerikane dhe izraelite (sëpaku kësaj radhe, anise ishte skenar i ngjashëm dhe në rastin e luftënisjes kundër Irakut) është se, nëse ndiqet kjo logjikë e gjoja “frikë-mbjelljes”, logjikë e përgatitjes së terrenit psikologjik për luftrat, përgatitje e tregjeve, përgatitje dhe trysni për t’i “shpenzuar” asetet (koha për t’i kthyer në vlerë abstrakte, në $) – frikë-mbjellje në stilin sulmoje Iranin sa më parë, ngutu, manipuloje opinionin publik, keqinterpretoje raportin e IAEA, fol për “rrezikun” 30 vjet me radhë, vizatoje një bombë me fitil të ndezur dhe dil para OKB-së, alarmoje botën, gjithë kombet e bashkuara dhe ato të trazuara, thirrni mendjes fare në prag të “bombës” është Irani, çfarë nëse i teket Iranit ta ndërtojë bombën, nuk tolerohet ky “vrap” i Iranit, nuk tolerohet ky vrap breshkani, Irani si breshkat zhagaz, na lodhi… i ka 30 vjet jemi duke alarmuar dhe ende Irani insiston nuk kemi bombë – logjika e kësollojshme automatikisht bie ndesh me vetë “logjikën”, përputhet vetëm me logjikat ushtarake, me “ekspertizat” ushtarake, qëkur e qartë se edhe para 30 viteve Irani mund ta kishte bombën, pa le tani.
Thjesht 2.5 ditë i duhen Iranit dhe uraniumi për bombën i gatshëm… por ja që Irani kurrë s’e ka kaluar gradën 60% të “pastërtisë” së uraniumit-235. Nëse Irani t’na kishte dashur bombë atomike, që nga fillimi i programit bërthamor të Iranit (nga vetë amerikanët, Amerika e pati nisur programin e tyre) e deri sot e kësaj dite Irani do i kishte pothuaj njësoj si Izraeli me dhjetra bombash… nëse jo me mijëra (ashtu si Amerika e madhe, si Rusia), atëherë sëpaku me dhjetra deri tani do i kishte patjetër.
Shtrohet dhe pyetja tjetër – çfarë nëse i ka, si mund ta sulmoni Iranin z. Natanjahu kur as idenë s’e paskeni që ndoshta Irani përnjemend i ka? E sulmoni me raketat “tradicionale” sepse ju vetë i keni ato bërthamore, nuk brengoseni, e kërcënoni duke ia bërë të qartë “rri urt Iran, duroji raketat e luanërve, nëse na sulmon rishtas, nëse i nis raketat, dije se Teherani do shkrumbohet”, si është e mundur z. Natanjahu, jeni aq i sigurt, pandehni se Irani s’paska dhe s’duhet t’i ketë. Andaj ngutuni, sulmojeni, niseni luftën, nëse t’keni pakëz fat lufta juaj do i “pjell” dhe ca luftrash tjera, rreth-e-rrotull Iranit janë dhe këto shtete z. Natanjahu, Pakistani (fuqi bërtha-mike, njësoj si dhe ju), Afganistani, Turkmenistani, Azerbajxhani, Turqia, Iraku, Kuvajti, Arabia Saudite, Bahreini, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) etj.
Ju thjesht s’keni dëshirë që Irani të merret me “atomikat”, janë gjërash të frikshme atomikat, sepse dhe z. Trump ka “dëshirë” që Irani t’mos i ketë, edhe juve z. Natanjahu ju pëlqen e njëjta, e keni gjetur, u deshën 30 vjet me akuzat por tani me sulmin ia keni qëlluar pikës, si 2 luanër atomikë të luftës, ju dhe z. Trump keni dëshirë që të shpenzohen “raketat tradicionale” të shteteve sa më shpejtë, meqë duhet ricikluar dhe raketat, duhet shitur, duhet zëvendësuar me të rejat, më të avancuara, më precize, duhet shpenzuar vjetërsirat, duhet rifreskuar tregjet e armëve, duhet administruar, kalkuluar… mos pyet, 1 milion e 1 telashe i kanë dhe armatimet. Dhe vetëm ta nisësh luftën s’është aspak e lehtë, pa le pastaj të qëndrosh, me vite e vite duke i shpenzuar me dhjetra, me qindra miliarda armatime (si Zelenskyy i ngratë psh.) e megjithatë biznesi me armë e me luftra kurrë s’ka qenë më “profitabil”…
[ shih dhe > Perspectives (Përpsektivat) https://letrat.eu/?p=17902 ]