Si kujtesë librore, dhe si pasaportë autoriale

(s. guraziu – ars poetica, 19 shtat. 2026)

…rreth librit me poezi të poetit Arif Molliqi “Ata udhëtonin pa e ditur fundin” (ShB “Armagedoni”, Prishtinë, 2025), e lexova një vështrim nga Emi Krosi (ndoshta pseudonim, për mua emër i panjohur i kritikës letrare kosovare), sidoqoftë më pëlqeu pjesa (pakashumë dhe konkluzive ose përmbyllëse) e nëntitulluar “Kompetenca Diskursive e Komunikimit Poetik” – autori Krosi kishte shkruar…
| – – –
Topika pragmatike e gjuhës së përditshme, është prirja drejt dhunimit të gjuhës së përditshme dhe tradicionale duke përzier kodet gjuhësore, si një prishje të distancës mes gjuhës “formale” e “informale”, përmes kompetencës komunikuese, që kthehet në ars combinatoria ku koha psikikës së njeriut, vendoset në të ashtuquajturën pavetëdije kolektive e cila në raport me individin mund të konsiderohet si kohë e përjetshme, por lexuesit nën efektet e katarsisit, çliron makthin e të keqes së pafundme, përmes fjalëformimeve… vargjeve metaforike… krahasimeve… së fundmi, autori përmes hapësirës së kohës fizike prej gati gjysmë shekulli, ka sjellë gjithë udhëtimin e tij poetik, si kujtesë librore por dhe si pasaportë biografike të jetës së tij. Një poezi dëshmi / thirrje / besim / lutje / shpresë / kujtesë / emigrim / humbje / luftë / paqe ku njeriu përmes dramës njerëzore “shpërthen” kundër harresës si dëshmi përvoje, duke ruajtur thelbin kombëtar të origjinës, përmes retorikës së poezisë moderne shqipe, të pasuruar dhe me përvojën e poezisë së Evropës post/moderne.
| – – –
…duke e njohur poezinë e poetit Molliqi; në vështrimin është kapërthyer dhe “drama individuale (poetike), rezistenca e qenies ndaj tëhuajësimit, rezistenca e ‘gurëve të rrokullisur, degdisur diku larg gjithandej Evropës a botës’… dmth. peripecitë e mërgimit, them se vërtet rrumbullakësim i bukur…