Dante, Poetët Fals, dhe Harresa e pafalshme!

Piktura: Stijn Vogels – Duke diskutuar Komedinë Hyjnore me Danten, 2009

…sipas artistit, piktura përmban 100 fytyra personalitetesh të mirënjohura, të arteve, të shkencave, të gjithçkaje… edhe të sporteve, të show-biz etj. gjoja duke “diskutuar” me Danten, padyshim rreth çështjeve të ferrit (për ç’tjetër do diskutonin me të : ) Dantja shihet djathtas, flet apo diskuton nga foltorja…


Stijn Vogels – Duke diskutuar Komedinë Hyjnore me Danten, 2009

(s. guraziu – ars poetica, 2019 – Dantja i pati harruar poetët fals : )
Sot, në kohën tonë, duke përgjithësuar mund të supozojmë se poetët fals ndëshkohen diku në “rrethin e tetë” të ferrit dantesk. Thelbi i çudisë është se ai vetë s’i ka përmendur. Dante, kur pati vajtur në ferr për “vizitë”, s’pati vajtur atje në cilësinë e “ambasadorit”, as si “ministër i punëve të brendshme”, as si shef i Gestapo-s a ndonjë Himmler. Vizita e tij atje s’ishte vizitë pune, as diplomatike, as turistike, Dantja e pati vizituar ferrin në cilësinë e Poetit, së bashku me Virgjilin. E megjithatë, thuase qëllimisht “poetët e rremë” i pati heshtur, poetët fals, dmth. falsifikatorët-manipulatorët e ndjenjave, rrenacakët më të rrezikshëm të zemrave! Shtrohet pra Pse-ja!

Dante pati thënë se Kleopatra, Helena e Trojës… etj etj. si të “korruptuara” që na ishin (nga epshet e hedonizmat), duhet të kenë qenë mëkatare të mëdha, gabimtare të tmerrshme, andaj askund tjetër por… në ferr. Në rregull, dmth. sipas Dantes nëse prostitutat e Amsterdamit, të Romës a të Londonit i gjejmë në ferr s’është dhe aq për t’u çuditur. Ai madje dhe Aleksandrin e Madh, anise jo aq qartë, e kategorizonte thjesht si “kriminel”, duke qenë një vrasës aq i madh, Aleksandrat, Napoleonat e pushtuesit… vendin e kane në “rrethin” e krimeve. Se kriminelët e luftrave, se Mladiqat e Karaxhiqat e kësaj bote mund t’i gjejmë në ferr, edhe kjo e lehtë për ta kuptuar.

Pastaj sa e sa figura të historisë e kanë gjetur vendin (dhe mund ta gjejnë) në ferrin e tij. Dantja s’e pati harruar pothuaj asnjë shtresë mëkatarësh, të gjithëve ua pati gjetur vendin nëpër nënkategoritë e nëntë rrathëve (secili rreth ishte i nënkategorizuar ekstra, asnjë mëkatar i kësaj bote s’duhej ngelur pa dënuar).

Bukur, mirëpo detaj i rëndësishëm është se Dantja e pati vizituar ferrin në cilësinë e Poetit. Bie fjala në rrethin e tetë (i cili është i parafundit, më së thelli, dmth. seksion shumë i rëndë i burgut, enkas për dënimet madhore) ai dhe Virgjili i gjejnë magjistarët, profetët e rremë, politikanët e korruptuar, hipokritët, hajdutët, këshilltarët e këqinj, lakmitarët, smiraxhinjtë, përçarësit, shpifësit, falsifikuesit e ndryshëm (psh. alkimistët, dhe pra jo vetëm falsifikatorët e parave e të pasaportave… por çdo falsifikues të mundshëm) etj etj. lista do ishte e pafund.

Pra  mund të hamendësojmë, korridorin e dyshimit mund ta shtrojmë me qilimash të shtrenjtë, mund ta mbushim me statuja, muret t’i hijeshojmë me piktura, mund t’ia veshim ndonjë atrium madhështor, mund ta kthejmë në një sallon mbretëror, ashtu si t’na pëlqejë… për t’patur vend për ballot, për vallet e princeshave, mirëpo s’mund t’i shmangemi, duhet kaluar andej – pra harresa e Dantes si detaj është dhe ngelet mjaft detaj i dyshimtë!

Dantja diç ka harruar, diç jashtëzakonisht të rëndësishme, o padashtas o qëllimisht, ai thjesht s’i ka përmendur “poetët fals”. Shkurt e troç, fort e dyshimtë heshtja e tij sa i përket një kategorie fort të rëndësishme mashtruesish : )