Ideja juaj e vjetër… ideja e “krisur”, ideja juaj gjeniale!

S. Guraziu – Ars Poetica, M 2019 (Diç si humoreskë…)

(…idetë e vjetra të poetëve vetëm sa kristalizohen, kthehen në diç si perlash, në ide safirike e diamantike. Nëse t’jesh pjekur e kthyer në diamant vetvetiu koha tutje s’ka ndonjë kuptim… as vetë mileniumet s’i afekton “koha”, kur është në pyetje gjenialiteti distancat kohore janë “jashtëkohore”, pasi padyshim vetë gjenialiteti është “jashtëkohor”, jashtëdimensional – nuk thonë kotë “mesjeta e errët”, sepse patën kaluar disa shekuj në errësirë, pa hedhur gjë në dritë…)

Për “Pianon Surrealiste” të Dalit thuhet se skulptura na qenkësh konceptuar që në v. 1954, mirëpo tek në v. 1984 vepra e pati parë “dritën e njëmendësisë”. Pas dekadash e fjetur si ide, më në fund qe kthyer në një objekt surreal të “vërtetë”, koncepti ideatik-surrealistik qe materializuar. Ndërsa dihet, surrealizmi s’është realitet, është jorealitet, është “fantazmagori”, është diç sikur vetë ëndrra kthehet e na bëhet ëndërrtare. Sa për artistikat… e për definicionet fare e lehtë, është diç “teknike” dhe aq e ftohtë nëse themi surrealizmi ishte rrymë, lëvizje avangarde në art e në letërsi që eksploronte potencialin krijues me ndihmën e “pavetëdijes” 🙂

Ra “pianoja” e Dalit dhe sikur po mendohesha – ja dëshmia që, nëse eventualisht keni “ide e koncepte” të vjetra në kokë, kurrë s’është vonë t’i sillni ato në jetë, t’i sillni përjashta kokës, më mirë vonë sesa kurrë. Nëse s’ishte e thënë dikur në rini, atëherë sëpaku në pleqëri. Madje koha si “datë” e prurjeve artistike s’ka fare rëndësi, ashtu-kështu kumti poetik dhe / apo bota juaj artistike herëdokur duhet të “lahet me dritën”!
Imagjino, nëse vetë surrealistët nuk hezitonin me idetë e tyre as pas dekadash, atëherë…

Diç që dikur mund t’na jetë dukur “qesharake” si ide, dhe hëpërhë s’kemi patur guximin e mirëfilltë t’ia shpalosim botës, papritur e pakujtuar tani ideja jonë e vjetër mund t’jetë “pika e vetë pikës”. Bie fjala idetë e vjetra të poetëve vetëm sa kristalizohen, kthehen në diç si perlash, në ide safirike e diamantike.

Për perlat e për diamantet “koha” thjesht është diç jashtëdimensionale, nëse t’jesh pjekur e kthyer në diamant vetvetiu koha tutje s’ka ndonjë kuptim. Poetët vetë bëhen diç si urtakë me mjekrash, koka e tyre rëndohet me lloj-lloj mençurirash, deri në pleqëri do ta kenë vjelur gjithë “pemën e dijeve”.
Shembuj ka sa të duash, njësoj poetët, filozofët, shkencëtarët, artistët… as vetë Platoni s’pati qenë ndonjë djaloshar kur e merrte guximin t’i hidhte në sheh gjenialitetet e veta. S’kemi si ta dimë tani, kanë kaluar mijëvjeçarët, kushedi sa gjatë mund t’i ketë shoshitur Platoni idetë e veta. (Ky “kalim i gjatë kohe” thjesht është konfirmim se as vetë mileniumet s’i afekton “koha”, kur është në pyetje gjenialiteti distancat kohore janë “jashtëkohore”, pasi padyshim vetë gjenialiteti është “jashtëkohor”, jashtëdimensional. Veç i përmendëm perlat e diamantet, shpesh kalojnë disa shekuj e s’na takon as “1 gram”, asnjë grimë gjenialitet, nuk thonë kotë “mesjeta e errët”, sepse patën kaluar disa shekuj në errësirë, pa hedhur gjë në dritë).

Tutje… paçka se Aristoteli ishte nxënës i Platonit, si djaloshar kurrë s’pati guxuar t’ia “kthente fjalën”, kuptohet jo se nuk “guxonte”… Përveç respektit për plakun-xhufurrakun, Aristotelin e frenonte dhe pasiguria për t’i shpalosur idetë e veta. E qartë pra, duhej kapërcyer ai pragu i “pasigurisë”, shumë ide flinin brenda kafkës së tij, aq e lehtë dhe s’ishte…

Padyshim, si dikur në lashtësi, e njëjta vlen dhe sot e kësaj dite. Mua psh. më frymëzoi ta shkapuris idenë vetë “shembulli” i Salvador Dalit. Mos vallë pandeh kush se kjo “ide” na qenka fringo, e sapongjizur! Pasiguria vlen për të gjithë, vlen për shkencëtarët, për filozofët… mirëpo sidomos për poetët e artistët. Sepse fusha e interesit e këtyre të fundit është aq abstrakte, duhet kapërthyer aq shumë. Derisa shkencëtarët e “saktësisë” duhet të merren me detajesh ekzakte për ta sjellë në jetë, bie fjala një aparat a një raketë, poetët e filozofët duhet ta shoshisin gjithë universin për pakëz dinjitet, për pak moral, a për ndonjë “etiquette” të denjë. Një krahasim tjetër (sadopak më qesharak) do ishte nëse themi të dy palët janë nisur për peshkim, të parët duhet t’i zënë peshqit një e nga një, duke pritur tërë ditën me grep, poetët e filozofët duhet të peshkojnë me rrjetin e madh të pasigurisë, thjesht e hedhin ashtu, pandehin ta “mbulojnë” detin komplet.

Rëndësi ka që shpesh (edhe në pleqëri) edhe të parët (cikërrimtarët) e edhe të dytët ia qëllojnë pikës, i çajnë shigjetat e “thelbësores” në dysh si dikur Robin Hudi. Dhe siç e dimë, e gjithë mbretëria, me fisnikëri e me kalorësi, me varfanjakë e me hajdutëri, gjithë mbretëritë anembanë patën dëgjuar për namin e Robinit. E pamundur t’mos degjonin, bëhej aq shumë bujë… tek i çante shigjetat e shigjetarëve të mbretit, aty mu n’qendër të sheshit!

Jeta padyshim është “kauzë”, s’është ndonjë rrugëtim kot, kthyerje në akundësi, duarbosh. Herët e më vonë dilni në shesh me idetë, sfidojeni cilindo Robin, çajini në dysh shigjetat e tij. Duhet shoshitur idetë, ama mos lejoni t’i hajë harresa, t’ju humbin. Do ishte e pafalshme të “vdesin” idetë tuaja, do ishte dëm t’i merrni me vete në botën e përtejme. Herëdokur duhet “shkrepur”, duhet dalur në shesh, kurrë s’është vonë të mblidhet guximi. Sipas skenarit më të keq, ndonjëherë shkrepja mund t’shkojë “huq”, e dinte mbase dhe Robin Hudi… Mirëpo edhe gjuetarët më të dobët të kësaj bote e dinë faktin – nëse s’gjuan kurrë, gjithmonë do jetë “huq”.

Thjesht “shkrepe”, s’ke çfarë humb, mund t’kthehet si surprizë dhe për autorin vetë. Kurrë s’i dihet, sakaq botës i bëhet e qartë se ideja juaj në fakt ishte gjenialitet. Gjithsesi, larg qoftë keqkuptimi, jo të gjitha idetë do na dalin “gjeniale”, natyrisht aty-këtu mund t’ketë dhe përjashtime. Idetë që na dukeshin “çmendurake”, që s’kishim kurajon t’ia shpalosim botës, ndonjëherë del në pah se vërtet na paskeshin qenë të tilla. S’duhet mohuar, aty-këtu mund t’ketë dhe dështime. Me ndonjë “huq” aty-këtu padyshim s’do ishte skuqur as vetë Robin Hudi.

Nëse t’ishte gjallë, nëse Robin Hudi t’i takonte kohës tonë, do ta dinte që njerëzia ndoshta dhe Nobelat mund t’i kenë fituar pikërisht duke e “shkrepur” atë idenë e vjetër, idenë e tyre të “krisur”, idenë e fjetur me dekada 🙂

 

[ ngjitur: Salvador Dali (1904-1989) – Piano Surrealiste, 1984 ]