SG – Androsfinks (II), 2013

ANDROSFINKS (II)
S. Guraziu, 2013

…kot qahesh, Osiris – gjoja
gjaky yt s’qenka i florinjtë,
gjak zotash, antidot për larvat
e urrejtjes, për njollëzezat
e mendjes, për parazitët
e qenies – imunoglobulë
e ndërgjegjes…

…t’përvëluaka dielli, kristalet
e shkretëtirës – gurëzohu
pra, si gur-akull i ftohtë,
nën hije gurësh groposu,
rrudhosur, buzëmbrapsht,
si androsfinks i vetvetes –
ruhet lëng i mbijetesës…

…i paske frikë çkrraplat – thua,
majë gjuhës kafshim –
ruaje qetësinë Osiris,
nga helm i vetë gjuhës vdis,
ngulfatu në fyt, për gjuhën
vdiset me dëshirë –
nga gjuha jote jep shpirt…

…s’të pëlqyeka n’errësirë –
eh Osiris, shpirti yt dritë,
flakadan i Nekropolis,
kujtohu, kokëbosh do t’jesh,
sado e gjatë nata, i balsamosur
trurin s’do ta kesh –
jo çkrraplat… por të gjallët,
me çengel ta heqin nga kafka.

 

[ Grafika: Émile Prisse – Androsfinksi dhe Kriosfinksi (Aménophis III, Dinastia e XVIII), 1878 ]