SG – Non est Mea Culpa, 2011

NON EST MEA CULPA
S. Guraziu, 2011

(asgjë s’është e gjuhës – gjuha është vetëm “instrument”)

Promete, kot i lëpin gjuhët e flakës, deri në fotosferë të Diellit zgjatesh, melhemin kërkon për plagët, e di, zotat kurrë s’lajthiten, as në agoni, por ti sikur harron që më e ëmbla e fjalës, realiteti, gjithë universi ndoshta botë holografike janë, diç si hartografi e dritës… e brendshmja, e jashtmja brenda nesh “ndizen e fiken”, aty në errësirën e blinduar të kafkës.

E shpërfill prushin e zemrës, flakën e pastër të së brendshmes, përjashta sorollatesh, secilin yll e puth, gurët e gjithësisë i bluan në buzë, secilin meteor, pluhnajat i bën qull, vallë ç’recetë kërkon, cilin sekret, cilin varg, metaforë, lëng yjor, analgetik hyjnor… do bredhësh deri në amshim, farmacist biocentrik, me gjuhë ta lëpish mjaltin poetik!?

Dyshoj të ëmblen ta gjesh, asgjë s’është e gjuhës, Promete neurotik, as hidhësia as ëmbëlsia… aty në hologramin e kafkës lidhet zemra, secili frymëzim, secili nerv poetik, aty ngjizet dhimbja, indi, plagët e tua, dhe vetë shija, gjaku, lotët, klithmat, non est mea culpa!

[ Piktura: Theodoor Rombouts (1597-1637) – Prometheus (KMSK Brussel) ]

 

***
[ Piktura: Dirck J. van Baburen (1595-1624) – “Vullkani duke e prangosur Prometeun“, 1623 ]

Prometeu e vodhi sekretin e zjarrit nga Zeusi dhe ia fali njeriut, sepse donte ta shihte njeriun më të avancuar sesa krijesat e tjera. Sipas Prometeut, i vëllai Epimeteu nuk i “pati ndarë” si duhet privilegjet për krijesat. Me vjedhjen e zjarrit Zeusi u tërbua dhe vendosi ta ndëshkonte Prometeun, e po ashtu dhe njerëzimin.
Për ta dënuar Prometeun, Zeusi e lidhi atë me zinxhirë a pranga (nëpërmjet Hefestit, farkëtarit hyjnor – Vullkani, ekuivalenti romak) në një shkëmb dhe e caktoi një shqiponjë që të ushqehej çdo ditë me mëlçinë e tij (shqiponja ishte shpend i shenjtë i Zeusit). Prometeun s’e gjente gjë, ishte një Titan-perëndi, i pavdekshëm, mëlçia i rritej rishtas, por ai i vuante çdo ditë dhimbjet (derisa qe çliruar nga Heraklesi (Herkulesi), gjatë Dymbëdhjetë Detyrave… të mitologjikes herkulesiane).

Për shkak të vjedhjes së zjarrit nga Prometeu, si pjesë e dënimit të njerëzimit (për ta ndëshkuar njeriun), Zeusi e pati krijuar bukuroshen Pandora, gruan e parë. Sipas mitit, Pandora e hapi një kuti (dhënë si dhuratë nga Zeusi) duke i liruar të gjitha ligësitë për njerëzimin – lakminë, shpifjen, smirën, zilinë etj. – me vullnetin e Zeusit pati ngelur vetëm shpresa brenda (mirëpo më vonë, me hapjen rishtas të kutisë qe liruar dhe shpresa, për fat të mirë dmth.… pasi sot njerëzimi sëpaku e ka shpresën : )

Sipas Hesiodit, për ta ndëshkuar njerëzimin Zeusi kërkoi që perënditë ta bënin Pandoranë si një “dhuratë” helmuese për njeriun. Vetë Afërdita e bukur (Perëndesha e Dashurisë, më e bukura nga gjithë perëndeshat) ia fali bukurinë, çdo perëndi i dhuroi nga diçka, Pandora qe berë si vetë shkëlqimi.
Ndërsa dhurata nga Zeusi ishte kutia me të ligat brenda. Pandora pati qenë e paralajmëruar nga Epimeteu (vëllai i Prometeut) që t’mos e hapte kurrë kutinë. Por ajo s’mundi t’i rezistonte tundimit, duke qenë kureshtare e hapi atë. Deri atëherë njerëzimi jetonte në një parajsë pa shqetësime, pa brenga, pastaj u helmua nga ligësitë.
Pra miti i Pandorasë është një lloj “shfajësimi” lidhur me çështjen se përse ekzistojnë ligësitë e kësaj bote, “shfajësim” dmth. mitologjik i vullnetit hyjnor (providencës) për pikëpamjen e ekzistencës së ligësive, ose dhe të këqijave.
Në kohët moderne “Kutia e Pandorasë” është një lloj metafore për pasojat e paparashikuara (negative) të zhvillimit teknologjik e shkencor. Psh. me zhvillimin dhe avancimet e fizikës bërthamore si “pasojë” pati ardhur dhe “bomba atomike”…
(s. guraziu – ars poetica, 2014)