Konica s’kishte as Internet, as iPhone as email!

( sguraziu – ars poetica, k 2019 – humoreskë )

…ngela tërë kohën duke u gëzuar për librat e të tjerëve, tërë kohën duke i uruar miqtë për botimet, me vite e vite, s’më ra “hise” kurrë të gëzohem ndonjëherë dhe për vete – gjithsesi, shenjë e mirë kjo sa i përket gëzimit… apo jo, sëpaku e kam garancinë që zemra është në “vendin” e vet, siç i ka hije të jetë – mirëpo prapë, vetëm aq, jo se kam diç më shumë; vetëm gëzime e urime, të shumten e rasteve vetëm sa mrekullohem me kopertinat, me lajmin e botimit, aty-këtu dhe me impresionet e lexuesve (që kanë patur rastin ta lexojnë ndonjërin nga librat), e keqja është se rreth përmbajtjes së atyre librave s’di gjë (pasi për fat të keq, vetëm lajmin e botimit, vetëm kopertinën e hedhin në Internet,  jo dhe përmbajtjen : )

…pastaj sikur e ngushëlloj veten, hëëë mos dramatizo tani, as ashtu as kështu s’bëhesh tjetër, ndodhesh 2000 km larg, ç’deshe ti, pret të ta sjellin tiranasit një librari enkas për ty në lagje, apo si? hesht dhe respektoji “rrethanat”, s’të takon diç më shumë, ashtu në pafatësinë tënde duhet t’jesh mjaft i lumtur, kënaqu me aq sa ke, në fakt ke më tepër sesa e meriton, imagjino sikur t’mos e kishe as Internetin, s’do dije as për botimet, as për ballinat, as për autorët, as për kopertinat, jo pra… mos u anko, i ke me gazeta e me televizione, të gjitha mediat shqiptare grumbull në Internet, aq shumë gazeta, portale, forume, revista, TV-kanale… aq shumë sa s’mund t’i vizitosh as 3 %, pjesa tjetër sa për ty janë kot, 97 % s’ia del, … por thelbi është që aty i ke, kujtohu sa vështirë e kishte Konica dikur… në “pozitën” e tij do bëheshe gazi i botës, Konica s’kishte as Internet, as iPhone as email, kurrë s’qe ankuar, i zverdhej gazeta, i rrudhosej, i zhubravitej nën sqetull, me javë e me javë i shoshiste të njëjtat lajme, duhej t’ishte i lumtur nëse ta kishte sëpaku 1 gazetë të zverdhur…

…ndërsa ti, kot qahesh, kot dramatizon, s’të shitet as trumpeta as çfarë trumpeton, s’ke pse e mohon faktin që Interneti ta “kompenzon” shumçka lidhur me mospasjen e librave, vetë i madhi Konica do ta kishte zili, psh. në rastin e poezive s’të mungon pothuaj hiçasgjë, kohë aq e “bujshme” për krijime, për publikime, dhe vetëm në sferën virtuale me miliona poezi të vërtiten para hundës, dhe vetëm në Fb panumër autorë, me mijëra poetë e vjershëtorë… here duke e hedhur materien e librave në Internet, herë duke e “shpërngulur” materien internetike për ta kthyer në libra, pranoje dhe vetë, faji është i yti për trullosjen, për marramendjen, kohëve të fundit gjoja na je bërë “zgjedhës”, një selektor i madh, tërë kohën i shmangesh leximit fshshshttt si sapuni i lagur me justifikimin e pabazë “njeriu s’di as ç’duhet lexuar më parë, aq shuuuumë libra, aq shumë tituj, aq shumë botime, aq pak kohë…” : )

[ ilustrimi ngjitur: Andre Martins de Barros – “Bibliotekisti ]