As Ciceroni s’pati provuar ta përshkruante dhimbjen!

S. Guraziu – Ars Poetica, 2014

Askush s’e do dhimbjen, s’ka dëshirë ta ketë, sepse është dhimbje…”, pati shkruar Ciceroni 2000 vjet më parë, para erës sonë. Në rregull, afër mendsh, dhimbja është dhimbje, askujt s’i pëlqen si e tillë. Thënien e Ciceronit, gazetarët dhe libraxhinjtë e njohin si pjesë të “Lorem ipsum dolor…” së paku që nga shekulli XVI (anise deri mjaft vonë s’e dinim se ishte pjesë e mençurisë së Ciceronit). Në të njëjtin vend Ciceroni atëbotë pati thënë diç të ngjashme dhe për kënaqësinë: “askush s’e refuzon, i pëlqen ta ketë, askush s’e shmang kënaqësinë, sepse është kënaqësi…”. Mirëpo sot s’na duhet kjo e kënaqësisë.

Kur kemi dhimbje… rënkojmë, nëse na pyesin tregojmë ku e çfarë na dhemb, dhe me aq mbaron. Nuk flasim “si” na dhemb, s’kemi si ta përshkruajmë, as që provojmë. Normalisht e kërkojmë ilaçin për ta zbutur dhimbjen. Ndonjëherë “ilaç” është injorimi, dhe në këtë drejtim ndihmon humori. Pasi që realisht “injorimi” i dhimbjes është i pamundur. Ta injorosh dhimbjen me gjasë është thënie bosh e të fortëve, gjoja si truk psikologjik i të fortëve.

Poetët zakonisht mëtojnë që dhimbjen ta shprehin me gjuhën e “poetikes” (e qartë, poetikisht, s’flite për dhimbjen “matematikisht” : )
Mirëpo as për topografinë e zemrës poezia s’është ndonjë hartë aq e saktë, shpesh dhimbja s’kërkon më shumë sesa një varg të vetëm. Ndonjëherë kemi përshtypjen sikur dhemb e gjithë zemra, gjithçka që graviton rreth saj sikur e thumbon për inat me ndonjë trident të mprehtë. Ose sikur diç bëhet lëmsh e ngatërrohet atje diku thellë.

Megjithatë prapë pandehim se zemrave s’iu ka aspak hije të jenë “kaotike”, nisemi sikur (padyshim) dhimbjet e kanë një strajcë të veten diku, ujdisur enkas për to. Ose ndoshta rrinë palosur-hekurosur si petkat në sirtarët e aromatisur, secila kategori dhimbjesh veç e veç, në sirtarin e vet.
As nuk dimë si ta masim dhimbjen, s’e kemi idenë nëse është diç… psh. si nxehtësia-ftohtësia dhe grafikisht do ta thoshim me shifra, si me numrat e “termometrit”, herë duke u rritur e herë duke zbritur. Apo do përshfaqej ngjashëm si një 3d-reliev plot ngjyrash i audio-spektrometrit të muzikave, dmth. kur çmenden rrahjet e ritmet, me gjuhën valore, vizuelisht do na “çmendej” dhe dhimbja : )

Zakonisht, e di gjuha ku dhemb dhëmballa – këtë s’e pati thënë Ciceroni, kështu thotë urtësia e popullit. Por vallë a mund të përshkruhet me fjalë dhimbja? Ciceroni pati konkluduar diç për dhimbjen, pati thënë këtë apo atë… duke u vërtitur rrotull saj, por ai nuk e pati “përshkruar” vetë dhimbjen. As që pati tentuar.
Padyshim jo vetëm sepse e vështirë, ndoshta dhe e pamundur, ndoshta dhe e pakuptimtë. E pakuptimtë, ngase dhimbja teknikisht duhet t’jetë diç si zhurmë kolektive neurotike. Lexuesi e ka sadopak parasysh – duhet imagjinuar pra neuronet, të nxehur e të skuqur prush, tek rendin si të çmendur pa kokë e as bisht, tek çirren me klithmat e tyre elektrike… pasi s’ia dalin t’i procesojnë ankesat e panumërta të qelizave. Sipas meje, ja pse s’pati provuar as Ciceroni ta përshkruante : )

[ ngjitur: Paul Barbotti (1821-1867) – Ciceroni zbulon varrin e Arkimedit, 1853 ]