SG – Pëshpërimë, 2012

PËSHPËRIMË
S. Guraziu, 2012

(vallë mund të burgoset ndjenja në “bërthamat” e fjalëve, apo secila fjalë duhet t’jetë e ëmbël rreth e rrotull zemrës së vet, e sheqerosur, e ëmbëlsuar… si ndonjë fjalë-qershizë?)

Mos hamendëso, s’janë “lot krokodili” fjalët e mia sot, por as lotësh të hidhur, kristale fals, bërthama qershish zemërbrydhur – si qaralaç, vajtim i shurdhër, gjoja ujvarë pa asnjë lot, ehuuu si bohorriten burrat, qahen pa ndalë, si shiu brerojnë, ashtu imtësisht, një jetë fjalësh pa zemra, lot-pikash imcake, një Amazon e shterrojnë, një Mississippi “mbrapsht” e kthejnë… andej kah rrjedha e dhimbjes – dhe shih, prapë ëmbël buzëqeshin, por s’ia dalin dy fjalë t’i lidhin dot, t’i zbusin si frymë, pëshpërimë, lëvizje buzësh, “whisper” skaj laprës së ngrohtë, vetëm dy fjalë të “…zakonshme, të lodhura nga e thëna, që nga të vjetrat të reja…” * do ishin, dy fjalë që e vulosin ndjenjën, që të bindin, si ngrohtësia e zemrës, vetëm dy sosh që fashitin dhimbjen… dhe ti të besosh!

* figuracion i huazuar, varg-segment… nga një vjershë e Alfonsina Storni