SG – Inception, 2014

“INCEPTION”
S. Guraziu, 2014

Ngjeshu për ca kohë, brenda kafkës frymo, me gjithë botën që ti njeh, si strajcë organike alienësh, improvizo, lidhi kapilarët, fijëzat e jetës, me elektrikat e neuroneve ndriçoji skutat më të thella të qenies, në karantinë gjithë zemren, izoloje un-in, burgose dhe ego-n, gjithçka të së jashtmes fute brenda vetes, pretendo:

je ti Toka, makro-ekosistemi, frymëmarrja e mini-planetit, boshti, bërthama, ekzoskeleti, je ti arkitekti, vetë elementi, mbamendja, vetëdija, intelekti, sistemi hermetik i një universi, as Zot as “judgement day”, ngulfatu, nga trysnia urbane e kafkës jep shpirt, vdis nga një grimë secilën ditë, derisa vërtet të ndjesh, derisa i gatshëm të jesh për ridaljen, i pastër, kristal… për ringjalljen.

Kurrë mos u nis ta njohësh botën pa e njohur veten, s’të duhet biletë, e kotë do jetë, s’ia vlen “ekskursion”, cilindo kontinent kot eksploron, kot shtiresh Kolumbo a Magelan, kot nisesh i verbër e pa kompas, nëse universi yt një botë e tërë e panjohur, brenda pragut tënd.