Tipet Kreative (ose të Krijuesve) – Sipas Adobe, 2019!

S. Guraziu – Ars Poetica, G 2019

Korporata amerikane Adobe (me “rrënjët” e veta tashmë gjithandej globit), para disa muajve e pati angazhuar një ekip special për t’i “definuar” sadopak Tipet e Krijuesve. Kjo i përfshin dmth. të gjitha fushat e aktivitetit kreativ të njeriut si qenje artistike.

Siç e dimë, Adobe është pronar i Adobe® Creative Cloud (tingëllon logjike : ) dhe ata e dinë se të gjithë njerëzit e planetit janë apo medoemos duhet t’jenë Tipa Kreativë, kështu që i punësuan disa ekspertë në fushën e psikologjisë dhe të kërkimeve shkencore. Psh., Carolyn Gregoire (bashkë-autore e “Wired to Create: Unravelling the Mysteries of the Creative Mind“) e bëri një hulumtim të gjerë, i cili hulumtim i dha kompanisë Adobe kahjen e fokusimit për tri tendenca të përcaktuara të personalitetit. Në “kuadër” të këtyre tri tendencave të personalitetit, ata konkluduan: ekzistojnë 8 Tipe Kreative (apo Krijuesish).

Bazuar dmth. në studimet e shkencave të psikologjisë, ekipi i Adobe e përpiloi një lloj Testi (15 pyetje). Ata thonë se Testi është një eksplorim i shumë fytyrave të personalitetit krijues. Testi vlerëson zakonet dhe tendencat themelore – si mendojmë si krijues, si veprojmë, si e shohim botën – për t’na ndihmuar dmth. ta kuptojmë më mirë se kush jemi si krijues.
Sipas Adobe, me Testin e tyre do ta kemi një kuptim më të thellë të motiveve tona, plus një pasqyrë si t’i përdorim në maksimum talentet, dhuntitë natyrore dhe të përballemi me sfidat tona kreative.

Natyrisht, ata po ashtu na e përkujtojnë se, këto Tipe të Personalitetit Kreativ s’janë diç si etiketa “bardh e zi”. Duhet t’i marrim më shumë si shenja që na drejtojnë kah potenciali i plotë krijues. Derisa ka ndoshta një Tip thelbësor që na “përshkruan” (na përthekon) më së miri, mund ta ndryshojmë sipas qejfit gjatë jetës dhe karrierës sonë, apo madje dhe gjatë fazave të ndryshme të procesit krijues. Si krijues, i kemi ngapak të 8 Tipet brenda nesh – thonë eskpertët e Adobe.

8 Tipet Kreative (Krijuese) dhe karakteristikat, sipas Adobe janë:

1 – Artisti (Sheh bukurinë, krijon bukurinë…)
[ Forca Krijuese: aftësia për t’sjellë ide dhe koncepte në jetë / Potenciali i pashfrytëzuar: të bëhet tërësisht i patrembur në shprehjet kreative-artistike / Bashkëpunëtori ideal: Prodhuesi ]

2 – Mendimtari (Filozofi) (Mendime të thella, pyetje të mëdha…)
[ Forca Krijuese: kërshëria intelektuale, aftësia për të gjetur dhe krijuar kuptime / Potenciali i pashfrytëzuar: Lidhja, urëzimi i teorisë dhe praktikës, aplikimi i ideve në jetën reale / Bashkëpunëtori ideal: Aventurieri ]

3 – Aventurieri (Aq shumë frymëzime, aq pak kohë…)
[ Forca Krijuese: nivelet e larta të energjisë krijuese, fryma e kuriozitetit dhe lojës / Potenciali i pashfrytëzuar: Angazhimi i vetvetes për zhvillimin e një aftësie ose projekti të veçantë / Bashkëpunëtori ideal: Artisti ]

4 – Krijuesi (Bërësi) (I përkushtuar në zanatin e vet…)
[ Forca Krijuese: përqendrimi dhe përkushtimi, aftësia për të arritur mjeshtërinë, maestralen / Potenciali i pashfrytëzuar: Marrja e rreziqeve krijuese, gjetja e kënaqësisë dhe lojës gjatë procesit krijues / Bashkëpunëtori ideal: Vizionari ]

5 – Prodhuesi (Procesi është fuqi…)
[ Forca Krijuese: shkathtësia e madhe drejtuese (udhëheqëse), aftësia për t’i bërë gjërat të ndodhin / Potenciali i pashfrytëzuar: Balancimi i produktivitetit me qëllimin / Bashkëpunëtori ideal: Ërndërrimtari ]

6 – Ëndërrimtari (Fuqia e imagjinatës pa frerë fare…)
[ Forca Krijuese: lidhja me emocionet dhe imagjinatën, empatia dhe ndjeshmëria / Potenciali i pashfrytëzuar: Përdorimi i ëndrrave për t’i nxitur veprimet e botës reale / Bashkëpunëtori ideal: Inovatori (Shpikësi) ]

7 – Inovatori (Shpikësi) (Lëviz, tund e dridh, prish, rishtas nga e para…)
[ Forca Krijuese: aftësia për t’gjeneruar ide të reja dhe zgjidhje inovative / Potenciali i pashfrytëzuar: Masterizimi i artit të ekzekutimit të ideve / Bashkëpunëtori ideal: Krijuesi

8 – Vizionari (Duke imagjinuar të pamundurën…)
[ Forca Krijuese: plot ide të mëdha, aftësi për ta pikasur potencialin dhe mundësitë kudo / Potenciali i pashfrytëzuar: Përdorimi i vizioneve për t’nxitur veprime të përditshme të qëndrueshme / Bashkëpunëtori ideal: Mendimtari (Filozofi) ]