Johan L. G. Lund – Pirroja (i biri i Akilit) dhe Andromaka tek varri i Hektorit, 1807-11

Johan Ludwig Gebhard Lund (1777-1867) – Pirroja (i biri i Akilit) dhe Andromaka tek varri i Hektorit, 1807-11

(s. guraziu – ars poetica, 2019 – koment, art klasik)
Andromaka…. gruaja e kryetrimit të Trojës, gruaja e Hektorit – pas rënies së Trojës, Andromaka qe bërë skllave e Neptolemusit (i biri i Akilit, i cili pati qenë vrasësi i Hektorit – Akili do e ftonte Hektorin burrërisht në një duel dhe do e vriste). Neptolemusi nganjëherë quhej Pirro (që do t’thotë “Flokëkuq”), piktura e Gebhard Lund e paraqet dmth. si Pirro, djalin e Akilit. Në tragjedinë “Andromaque”, 1667 të Jean Racine (1639-1699, dramaturg francez), Pirroja e merr gruan e Hektorit për vete (Andromaka ishte tashmë diç si skllave, si robinë e luftës), do i kishte tre djem prej saj. Pas vdekjes së Pirros njëri prej djemve të tij do bëhej mbret i Epirit.

Sidoqoftë, para se Andromaka të skllavërohej nga Neptolemusi, para se t’bëhej nëna e 3 fëmijëve të tij, ajo ishte nëna e Astinaksit fatkeq, i cili ishte i biri i Hektorit. Gjatë pushtimit të Trojës, Neptolemusi e mbyt atë (me paramendim, duke e hedhur nga muret e qytetit). Sipas Virgjilit, vrasjen e fëmijës Neptolemusi e pati “arsyetuar” me fjalët: “…mund t’bëhet mbret i Trojës, e ne s’duam që Troja t’ketë mbret ndonjëherë”.

Në pikturë shohim se Andromaka është paraqitur gjoja tek varri i Hekorit, mbase duke e lamentuar burrin e vet, dhe Neptolemusi duke ia ofruar “zemërgjerësinë” e vet. Në sfond shihet Troja, muret e qytetit… dhe trojanët duke ikur, duke e braktisur qytetin. Por ajo s’është vetëm, pranë saj e shohim dhe Astinaksin, detaj që gjoja do duhej të “sugjeronte” se i biri i Hektorit ende ishte gjallë, dmth. nëse e marrim pikturën si “referencialitet”, duhet thënë që Astinaksi qe mbytur nga Neptolemusi më vonë…