SG – Ultrasonografi e Qenies, 2006

ULTRASONOGRAFI E QENIES
S. Guraziu, 2006

Si pikënisje… thellë
nga brendia nisu,
dil nga trupi dhe kthehu
si një torpedo fotonike,
si grusht i fortë drite,
godit muret, pushto vetveten,
un-in tënd – brenda krizalidës
shkapurit strofullën
dhe prushin e valë, puth
larvën tënde të frymimit,
digju i gjithi flakëve të arsyes,
prek natyrën dualiste
të universit dhe vetë
dualizmin e qenies, lufto
për frymën në anën e drites,
fluksohu, i gjithi në dritë
ktheu, me dashuri përvëlohu,
prore hidh shkarpa,
pandalë, fryji zjarrit guximshëm –
kur të tretesh i molisur, kur
i fikur të ndjehesh, ngrohu
dhe një grimë, energji
“rezervë” me kujtimin,
shfleto guidën, doracakun
e mbijetimit, me llambën
kriptonike të bebzës,
shqisen e gjashtë tendosur
si kapiten-komando
në xhungël, nën shiun
“monsun” të dhimbjes
injekto zemrën prapë
me gjilpera drite – nëse
i mekur, pa zë, si balenat
nën akullin e oqeanit,
errësirës së ftohtë, në qetësinë
absolute, si një grahmë
me “sonar” dridh lëngun
e jetës valë-valë,
si pëshpëritje e lutjes
së fundit… dhe vdis në paqe
me veten, me buzëqeshjen
sublime – nëse di si vdiset,
nëse di si shuhet drita!