“Wangiri” – Fenomeni i çuditshëm i mashtrimit telefonik!

(sguraziu – ap, tetor 2019)

Kompanitë telefonike të Holandës ditëve të fundit janë duke i rënë alarmit me të madhe, duke u përpjekur t’i paralajmërojnë klientët e vet rreth fenomenit të mashtrimit të ashtuquajtur “Wangiri” (fjalë kjo e japonishtes). Ky fenomen, thonë ata, është një formë e mashtrimit telefonik, mashtruesit përpiqen t’i bëjnë njerëzit të thërrasin në numra të shtrenjtë, të cilët janë regjistruar nga ata vetë (si numra të rregullt shërbimi) enkas për këtë qëllim, për të vjelur fitime.

Si një viktimë potenciale për mashtrimin, do të cingërojë telefoni juaj thirrur nga një numër i panjohur (zakonisht i huaj). Pasi ta hapni, në anën tjetër askush s’ju përgjigjet. Çdo numër të huaj që nuk e njihni duhet ta injoroni (dhe ta bllokoni), s’duhet ta hapni. Mashtruesit shpresojnë që ju të telefononi në numrin e tyre dhe pastaj do përpiqen t’ju mbajnë në linjë sa më gjatë të jetë e mundur. Ata e bëjnë këtë, për shembull, duke ju lënë të dëgjoni një melodi, ndonjë ton si “linjë e zënë” ose dhe asgjë. Ende as pa e kuptuar, telefonata në numrin e tyre (me pagese të shtrenjtë) do bëjë që fatura juaj të rritet shpejtë.