Thorvaldsen – Hyrja Triumfale e Aleksandrit të Madh në Babiloni!

S. Guraziu – Ars Poetica, T 2019 (Pak fjalë…)

[ Bertel Thorvaldsen (1770-1844) – Hyrja Triumfale e Aleksandrit të Madh në Babiloni, 1818-28 ]

Ky panel i frizës së Thorvaldsen na flet për hyrjen e Aleksandrit të Madh në Babiloni në krye të ushtrisë së vet “viktoriane”. Subjekti i zgjedhur për këto panele skulpturale pra nuk ishte asfare i rastësishëm, synimi ishte që triumfi i Aleksandrit ta pasqyronte apo të “asociononte” figurën e Napoleonit, i njohur tashmë për aftësitë e jashtëzakonshme ushtarake, por dhe për pushtimin e Romës pa gjakderdhje (siç pati ndodhur dhe me hyrjen e Aleksandrit në Babiloni, para më shumë se 2000 viteve).

Marrja e Babilonisë në v. 331 p.e.s është një episodë lavdiplote e historisë greke, pas pushtimit të perandorisë persiane nga Aleksandri. Persia ishte një perandori e fuqishme dhe armiku shekullor i mbijetesës së atëhershme greke, me shekuj e shekuj e cenonte vetë ekzistencën si dhe kulturën, që sot njihet si zanafillë e qytetërimit perëndimor.
E qartë, motivi i skulpturës ishte glorifikues për Napoleonin, subjekti i frizës ishte marrja triumfale e Babilonisë nga Aleksandri. Ky motiv qe zgjedhur si një paralelizim i ardhjes së Napoleonit në Romë (dmth. paralelizim me lashtësinë e lavdishme të Aleksandrit të Madh).

Aleksandri mban një skeptër që simbolizon fuqinë e tij, për karrocën kujdeset Viktoria (me dy krahë të mëdhenj, personifikim i Fitores, sipas imazhit mitologjik). Me frymëzimin e “vjelur” nga kryeveprat e mëdha të skulpturës antike (përfshirë relievet e Partenonit së Athinës dhe të Kolanës së Trajanit në Romë) punimi paraqet takimin e dy kortezheve procesionale nisur drejt qendrës së qytetit madhështor. Figura e Aleksandrit shihet në karrocën e tërhequr nga katër kuaj dhe drejtuar nga Viktoria (Fitorja, Triumfi), ndjekur nga kali i tij i famshëm Bukefali dhe nga komandantët e ushtarët e ngarkuar me plaçkat e luftës.

(Në anën tjetër të frizës, përballë Aleksandrit, do të shihej figura alegorike e Paqes – e njohim nga dega e ullirit që mban, teksa u paraprin njerëzve dhe pushtetarëve të Babilonisë, të cilët po ashtu mbajnë dhurata (kuaj, luanë, e çmos…) për fitimtarin Aleksandër, ndërsa në mënyrë ceremoniale të pritjes vajza e vallëtarë shpërndajnë lule për nder të triumfit të tij).

***
Friza e mermertë e skulptorit danez të Neoklasicizmit, Bertel Thorvaldsen, “Hyrja Triumfale e Aleksandrit të Madh në Babiloni” konsiderohet si një nga kryeveprat më të bukura të skulpturës evropiane të shek. XIX (versioni i mermertë sot i dekoron muret e “Salone dei Marmi”, në Vilën Carlotta, Itali – qe bërë, bazuar në versionin suvatik konceptuar si homazh alegorik i bëmave të Napoleonit, punuar në v. 1812 për “Palazzo del Quirinale” në Romë).

Atëbotë, friza e siguroi pozicionin e Thorvaldsen si një nga artistët kryesor të Evropës. Thorvaldsen i pati bërë disa versione (nëse s’gabohem, 2 për kontraktorët franko-italianë, dhe 1 a 2 sosh për Pallatin Mbretëror të Kopenhagës). Muzeu Thorvaldsen sot posedon frizën me madhësi të plotë si model origjinal, e edhe si kopje suvatike, gjithashtu dhe një version më të vogël prej mermeri.

Në v. 1809 Napoleoni njofton se ka dëshirë të shkojë në Romë për një kurorëzim të dytë, në Shën Pjetri. Dy vite më vonë (1811) skulptori Thorvaldsen kontraktohet për dekorimin skulptural të pallatit papal “Palazzo del Quirinale” në Romë. Vitin tjetër (1812) ai e fillon punën në frizën, punon nga Marsi deri në Nëntor. Pra brenda pak muajve, Thorvaldsen e ekzekutoi frizën 1 metër të lartë dhe 35 metra të gjatë, me rastin e vizitës së planifikuar të Perandorit Napoleon.

Pas rënies së Napoleonit, në v. 1818 një version i dytë kontraktohet nga Giovanni Battista Sommariva për vilën e tij. Një dekadë më vonë, në v. 1829, të gjitha panelet e mermerta të frizës (33 sosh) qenë vendosur në vendin e vet.
Dhjetë vite tjera më vonë, në v. 1838 Thorvaldsen do ta bënte një version të ri të frizës për Pallatin Mbretëror të Kopenhagës.