SG – Njëbrirësh Trashaluç, 2006

NJËBRIRËSH TRASHALUÇ
S. Guraziu, 2006

(Poetët e kanë një ilaç të fshehtë, një anestezi sekrete, për dhimbjet!)

Nëse t’më thërret ditë-gjykimi im një ditë,
atëherë kur t’jem si Zeus në qiell,
padyshim do t’shtirem kureshtar si
kollitet një mëngjes në Perandorinë e vetë Dritës,
sa rrathë i ka në agullimë Dielli, si djersitet?
I verdhë, i kuq, ndoshta i bardhë – qumësht
i homogjenizuar, helium-vitaminash,
si bukëvalë, për mua përherë të uriturin,
i pangopur – njëbrirësh galaktikash?

Për mëkatet… palosur si fluturat
lulishteve të fajit, mund të lutem pa zë,
fjalët sa një bisht kometash t’i zgjas,
si Dalai Lama të flas, si Xhingis Khan
të bërtas: assesi, njohja me shpirtin tim
s’ishte “dating”, as këshillë e Nënë Terezes –
anise yjet do t’shkriheshin së qeshuri
e vetja do t’më dukej si gjilpërë eskimezësh,
apo si një hiç buzë humnerës – vrimë
rrumbullake në akullsinë e vrimëzezës.

Ndoshta, si hokatar i pafalshëm që jam,
mund ta akuzoj vetë Diellin që s’ia doli
të jetë më i dielltë se vetvetja, mund
ta tradhtoj; të shpif se më provokonte,
më nxiste – duaje me zjarrin – thoshte,
nëse je i zjarrtë, cili mundet më zjarrtë!
Më dhimbsej; s’ishte duel por shtyhej me mua,
si gjithmonë, kotej hemisferave në Kardasia,
e unë me flatrat e xixëllonjave të qiellit
ëndrrat ia freskoja nga atje, në Antarktida.

Por s’duroj dot asfarë shtrembërimesh,
maskash të ulëta, kamuflazhe harrestarësh,
patjetër do t’klith: dëgjoni, e vërtetë është,
dy poezi janë këtu në zemër, dhuratë
si medaljonë të praruar shpirtëror (prandaj
dukem pakëz trashaluç), dhe natyrisht
s’jam harrestar, si ai vetë jam krenar
që nuk shuhen dritëvarat diellore, kurrë!