“Vëllazërim-bashkimi”, dhe origjinaliteti!

(sguraziu – ars poetica, 2014)

…në rininë e hershme, dmth. derisa ende i ri-kalama, gjithmonë kam kujtuar se “vëllazërim-bashkimi” ishte ide ORIGJINALE, gjithsesi, më vonë kur qesh rritur dhe ca, pata zbuluar që zanafilla e “vëllazërisë” shkonte shumë më mbrapa në kohë, s’ishte bash 100% plagjiaturë por dhe ide aq origjinale s’ishte (dmth. e kam fjalën për vëllazërim-bashkimin titisto-hoxhist të ish-republikave dhe krahinave autonome të Yu, të cilin “vëllazërim” për 8 vite rresht na e mësonin vetë mësuesit e fshatit në bankat e fillores, mësuesi ynë i Historisë ishte madje një “titist” i përbetuar, i tillë ka ngelur dhe sot e kësaj dite, aq vigjilent i ruante interesat ideologjike te titizmit ndër nxënësit e vet, një shokun e klasës (në klasën e VI të fillores, imagjino 10 vjeç a 11, mund ta dëshmoj dhe me fakte të “prekshme”, shoku i klasës S. do t’më ndihmonte me faktet pasi është gjallë, njësoj siç jam dhe unë) mësuesi ynë e pati “paditur” tek drejtoria e shkollës vetëm e vetëm sepse ky shok-trimulushi, me shpuzë të lagur i pati “shkruar” inicialet KR (gjoja Kosova Republikë) në dërrasën e zezë (e cila në fakt ishte e gjelbërt, jo e zezë, mirëpo mendja e mësuesit ishte zezonë, ishte katranosur) dhe sa për sherr shpuza s’paskësh qenë aq e paster, kur qe tharë njolla… e bardha e shkumsit sakaq t’i pati hedhur inicialet në shesh – ma besoni, kur mësuesi ynë i pati parë e gjithë shkolla qe trazuar, i gjithë fshati, fitohej përshtypja lloj-lloj njerëz të “gestapo-s” vinin e shkonin, dukej si në filma, lloj-lloj fytyrash të ngrysura hynin e dilnin, desh pati krisur qameti, qe shembur bota, qe rrotulluar përmbys, shokun e patën marrë madje në polici dhe fëmijët s’e dinin saktë por thashethemet e nxënësve ngulnin këmbë se e patën rrahur me “shkoptha gome, aq sa i qenë enjtur duart”), ky mësuesi ynë (quhet Adem Dërguti) ishte dhe ka ngelur fort i zoti, sot merret me vjeljen e ndihmave nga “gastarbajteret” e Gjermanisë e të Zvicrrës për t’i “financuar” librat e historisë së fshatit, i gjithë fshati e di që ai ishte ashtu siç ai ishte por askush s’ia përmend, sepse pakashumë të gjithë “ishin titoistë”, kush më pak e kush më shumë, jo aq të verbër sa ai por ishin simpatizantë të heshtur të “vëllazërim-bashkimit” – një humoreskë ose tregim i imi i shkurtër, ndër të tjera qe frymëzuar pikërisht nga “karakteri” i mësuesit të Historisë, siç thashë dhe në fillim, më vonë pata zbuluar që zanafilla e “vëllazërisë” shkonte shumë më mbrapa në kohë, tani me këtë foton që e gjeta të surlaxhinjve desha ta mbështes “hipotezën” time të vagullt – tjetra çfarë desha të them, shkurt do ishte: lum si ata që e kanë pasion dhe historinë, unë për vete e kam, uroj ta keni dhe ju, ç’nuk zbuloni, lloj-lloj faktesh, lloj-lloj fotosh, ndonjëherë dhe gjërash kontradiktore, pastaj aso qesharake, them se ia vlen, mund të shkokloheni së qeshuri etj. etj.