SG – Në turbullirë s’pasqyrohet asgjë, 2007

NË TURBULLIRË S’PASQYROHET ASGJË!
(fragm. nga humoreska “Në dimensionin pa Biomasë” – SG, 2007)

| – – –
Nëse ta merrnim me mend gjithë korrespondencën e jetës, secilin email të shkruar e të lexuar, secilin mesazh në MSN, në Yahoo-messenger, në Google… telat do të digjeshin! Ihaaaaa, kalkulatori im u dogj. Ja, as gëk nuk bën. Këso njohjesh mbase dhe s’mund të quhen kushedi çfarë njohjesh, por unë për vete sëpaku e di që kam njohur anën më të mirë të tyre. Anën më të mirë të njeriut. E, edhe ata anën time, atë më të denjën. Sepse normalisht njeriu në shkrimet pasqyrohet më i miri, më i vërteti, më i sinqerti. Ana e shkruar është më e ndritura, më e ngritura. Klithma me shkrim është klithma më intelektuale që ekziston.

Dikush që është i turbullt, ai s’mund të shkruajë. Edhe nëse ka aftësi të shkruajë, në ujin e turbullt s’pasqyrohet gjë.
Ndërsa njerëzit që mund të shkruajnë kanë çiltërsinë e ujit të kthjellët, ku pasqyrohet shumçka. Ata që mund të shkruajnë janë të kulturuar, të urtë, të civilizuar. Ata dhe nëse çirren, bërtasin, shajnë… në kupë të qiellit, sharjet e tyre mbesin më të kulturuarat, se cilatdo forma tjera të sharjes. Sepse janë sharje me shkrim, “sharje” intelektuale. Janë rezignatash intelektuale. Janë klithma të një shpirti që, padyshim, nuk pajtohet me diçka, janë thirrje të një urtaku. Klithma me shkrim është klithma më e qytetëruar që njeh njeriu.
| – – –

Info plus: “Në dimensionin pa Biomasë” është shkruar kur Facebook ishte akoma në “pelena” – Fb sapo ishte themeluar (në v. 2004) dhe askujt s’i bënte përshtypje, prandaj nuk përmendet në humoreskën – unë për vete jam regjistruar 8 vite më vonë, imagjino sa vonë… (!) dhe kam filluar ta përdor anën “sociale” të Fb akoma më vonë, dhe atë për 2-3 muaj, pastaj rishtas e pata braktisur. Nëse të analizohej holl e holl, fare lehtë do na dilte që ndoshta kurrë s’e kam përdorur mirëfilli, përveç si “fletore elektronike” : )
(sguraziu – ap, 2015)