SG – Eh, dhe këto muzat moderne, 2012

EH, DHE KËTO MUZAT “MODERNE”!
S. Guraziu, 2012 (Skicë…)

(nganjëherë muzat si meduzat me taka të larta, vishen në mëndafsh të “Versace”, apo aty ku “vishet djalli… në Prada”, dhe s’na e varin fare…)

Në pallatin e kulturës së Kryeqytetit çdo gjë u dedikohet muzave, deri në detaje, deri në imtësitë e pakapshme, me plotkuptimin e fjalës lirisht mund të quhet “Musis Sacrum”*. Por sot befasi, Polihimnia s’duket kund, Xha Akili i rrudhosë buzët pelim, zemërthyer shkruan një kolumn, nuk është i vetëm, me kompaninë sa një katund, i mllefosur në kupë të qiellit thërret “turp… turp të ketë, ajo vegë e ndryshkur (paçka se e bukur), do na shkojë gjithë mundi kot, edhe pse “star”, yll i vërtetë, perëndeshë e fansave nga cepi në cep të Facebook, tani të zhduket tek ashtu, pa shenjë as gjurmë”!

Muzat moderne kështu janë, të pa(para)shikueshme, të pa(para)para, tekanjoze, herë veshur në “jeans”, herë një fustan, herë në bikini ia mbathin diku larg, herë n’Durrës herë n’Berlin, herë n’Hollivud ikin bashkë me Talinë, sidomos në ditë eventesh apo festash, kur çmime të ndryshme ndahen, kurora dafinash, lloj-lloj “awards”, palmash të arta, Oskarë e statuetash…

***
Sytë e tu të gjallë do ishin Erata, dhe nga pasqyra njëjtë do më flisnin, asgjë s’e robëron gjuhën e syve, ti e di, në pasqyrë vetëm sytë mund ta ndiejnë ngrohtësinë… dashurinë, qoftë dhe aso “dashuri kuantike e filanit” (do thoshte xha Demaçi), e papërfillshme dhe për vetë shpirtin, por ti nuk më do sot, sikur as Talia e prekur që nuk e do Agronin e mençur, me nëntdhjetë e nëntë maskash, si yll shkëlqimtar mbi piramidë të “Portokallisë”, dhe as Xha Akilin e ngratë që s’e do Polihimnia – prandaj as unë për inat s’të njoh tutje, s’dua të kthehem nga ti të të shoh në sy, nuk ta var, sa për sot ja ku e ke dhe vetë pikën… Pikë.

 

* musis sacrum – dedikuar muzave

[ Grafika: Logo e Versace, me Meduzen e bukur… ]