SG – Buzëqeshje gjysmake, 2009

BUZËQESHJE GJYSMAKE
S. Guraziu, 2009

| – – – vazhdim – – –
Ëndrra të flashkëta ngjalluni, frymoni, me pilulat e pashpikura të rinimit më rinoni, mbamëni të virgjër këtë natë, mua dhe çdo yll të yllësive lart, një tabllo si aurorë ma falni, diç si faculetë yjore të Afërditës, pëlhurë të gatshme plazmatike, t’i vizatoj vetëm buzët, një puthje germash, të zjarrtë si puthje yjesh, ta ndiej afshin, ngrohtësinë, përvëlimin… me këto buzë germatike – qoftë dhe vetëm njërën buzëvalë, cilëndo nga buzët e saj, sëpaku njërën anë të buzëqeshjes – dhe ta kornizoj, ta mbyll në xhamat e trashë të muzeut të qenies, hermetikisht… me çdo të metë artistike, pastaj si rojtar në Louvre të endem qiellit, të fluturoj me shpejtësinë e dritës, ta shpoj mezosferën e yjeve, të bie, të digjem, të shuhem, nga thundrat e Pegasit të shtypem, nga qortim i Kasiopesë prush të skuqem, Perseun ta gënjej për gjithçka, nëse e nevojshme dhe për strofullën e Meduzës, si një kometë-dhelpër kozmike me bishtin dinak ta mashtroj, shtigjeve t’i fsheh gjurmët, t’i çorodis pluhnajat, kohën “nyje” ta lidhë, ndodhitë kaotike larg t’i hedh, si lëmshat e gjysheve të kotura, përflakur “horizontit të ndodhive”, me çdo kusht mos ta lë të vdesë, ta mbaj gjallë deri në mëngjes, ndoshta si vetë Andromedën – buzëqeshje gjysmake… vërtet, por pikturë e imja, fare autentike, brusha më e çiltër, pastërti e dritës, vulë e shpirtit si kërthizë galaktike dhe e qiellit, “Zonjë e prangosur” në Pasqyrën e Uranisë… për Ty.

[ Ilustrimi: Yorgos Maryelis – “Andromeda” ]

…çfarë s’shkruan njeriu në rininë e vet, padyshim në pleqëri ngelet i mahnitur, gojëhapur nëse t’i ketë hasur lloj-lloj marrëzirash të dikurshme : )

segura