SG – Krrabëzim (Poetik), 2002

KRRABËZIM (POETIK)
S. Guraziu, 2002 (Skicë…)

Gjyshja thurte, vargëzonte – fantazi, e tirrte shumë holl… delikatësi, s’kishte fjalor prej A deri n’Zh, vargu s’është deng me lojfjalësha, thoshte – deng çelësash varur n’ushkur, një i dollapit ku i mbaj karamelet, një tjetër i arkës me aromën e ftoit, një sosh i flladanikut ku ndonjëherë, pa sherr i fshehë më të ëmblat, mjaltë e pekmez…

Gjyshja s’thoshte kurrë – poezi, ranë çorapet… e u pamë moj hyri, fjalë nga fjalori si shtëllungë e butë, do tjerr lesh-fjalë nga ime furkë, do bëjë çorape për Gencin e vogël, një palë për Manin tim atje n’pojata, një palë për nusen e trimit – dihet më të bukurat, dëborë të bardha, të gjitha të tjerat me xingla-mingla, palosur pranë shportës me vezë, së bashku me qypat e gjalpës do i shes në treg…

Gjyshja e dinte – leshi lesh, akti i tjerrjes lesh-pështjellim, krrabëza e gishtërinj, nyjëzim sofistikisht, krrabëzim, vargëzim i leshtë, art thuhet… por nyjat s’flasin dot, çorapet s’janë poezi, ndoshta mrekulli – punëdoret dhe gjalpin i shes në treg, për poezinë s’do pretendoj makiazh, në emër të “stilit” Paris Hilton, të konkurroj në garën për Miss… marrëzi, brumë laboratori, maratoniadë e verbër për kurorë, ndoshta Paris vërtet është poezi, por një tjetër soj!

Gjyshja s’thoshte kurrë çorapet e mia meritojnë më shumë, lesh-poezi… të quhen ndoshta – kurrsesi – aq modeste, frymo njëherë çorapja ime… thellë, të të ndiej, të të prek – thërriste, ndonjëherë rrallë mrekullohej, lumja ti lesh-poezi, teleisur sa hijeshi, brumë i ardhur, vetë shpirti – poezi, s’të duhen tituj, shirita nëpër trup, vargu kacel përdredhur, tërthuruar, pa fjalë të rralla ndër fjalorë huazuar, sall me dy sosh të “glasuara, si dy vezë” koteci – gjithmonë e imja lesh-poezi, më bukuroshja do t’jesh… ti!

 

[ Albert Anker – Grua duke thurur, 1904 ]