SG – Peshku dhe Transnacionalja!, 2003

PESHKU DHE TRANSNACIONALJA
S. Guraziu, 2003 (në stilin e Dritëroit – Skicë )

Hyri n’rrjet si një peshk, vocërrak – kërcimtar – peshk me flatra – atletik – se kurth ishte nuk e dinte atje n’ujë – rrjet i gjerë sa një det – kish hapësirë – kish lezet – çdo lëvizje shumë liri – të tjerë peshq – koloni, sa kënaqësi – noto “delfin” – noto n’shpinë, si t’ka ënda – n’daç pingul shigjetë – bythëpërpjetë – provo me stil – shpik të tjerë – frymo, merr frymë thellë me mushkëri – protesto, thuaj s’kam velza – jam sojli – poet jam, di t’i vargëzoj fluskat mrekulli – cili varg është më i dëlirë – varg që lind në ujë t’kulluar – puthur nga rrezet sipri, diell-praruar – shpirt artisti – proletar i rafinuar – oqeani s’ka nevojë për më shumë ujë – për t’u larë – vetë është ujë, vetë larje – as kënga ime të shkëlqejë – margaritar.

Çdo koloni peshqish prush t’vegjëlisë – komunizëm është i llojit t’vet – strategji – anekdotë thuprash – grusht shigjetash – t’Skënderbeut në agoni – andaj peshq të të gjitha ujërave bashkohuni – është një peshk aty dikund – qen-a-peshk – tok të gjithë t’i bëjmë ballë – ngjituni shokë – ai s’ka mëshirë – instikt i tij të kullufisë – do hajë më të mirin nga ne – më fisnikun – më të ndriturin e sojit tonë – më të madhin – pa një pa dy do ngelim pa admiralin.

Dalëngadalë rrjeti n’tkurrje duke dalë – ndjeu freskun nëpër hala, peshk i ngratë – u përmend nga ëndërrimi – u kthjellua, s’kishte dalje as falje – u tmerrua – uh ç’më gjeti – bëra not dhe lajka si poet aq shumë vjet – tani e shoh, me gjasë qenka përmbysur deti – s’qenka i madh të kem frikë – në fakt ai ishte që të rritesha edhe pak – ose unë isha që ai t’bëhej më i madh – mbi ne fati si drita që shohim nga lart – tek përshkon ujin – i jep jetë kolonisë – tani e shoh, s’më vjen mirë të vdes – por pajtohem me fatin – tashmë kur e di, në çastin e fundit mësova ç’do të thotë të thuash – “jam poet”!