Retorikë “Poetike”

SGuraziu, 2012

Poezia fillon nga hiçi, me hiç
shtrihet e zgjerohet
që nga lashtësia në hiçgjë,
pothuaj si Big-Bang,
“shpërthim i madh” teorik,
ngjishet, rrahet balta, vërtitet
forma, piqet në furrat e zemrës,
brumi poetik nga zeroja
e metaforës fryhet si universi,
si stomak i amforës – përjashta
kemi yje, gravura, relike
antikiteti, figura, simbole,
harpa e harqe, kupa
të festës, as trident i Poseidonit
as vetë rrufeja e Zeusit…
nuk mungojnë!

Sot gjithë kureshtjen e zhyta
në hiçin e amforës,
mbarsur me erën e rëndë
të shekujve, gjaku e njohu
vetveten, gjithandej gjurmë
të historisë, eshtra njerëzish
a skllevërish, pranga
të lashtësisë, kafka të shtypura,
arena gladiatorësh…
vallë ç’të ketë ruajtur dikur,
verën e ëmbël, frymëzimin
për Zotat e fjalës? – ne sot
njohim vetëm lavdinë
e sulltanëve, krenarinë
e luanëve, baladat, epikat
e kohës, luftrat, kronikat,
hyjnoren e padronëve,
por asnjë klithmë shpirtrash,
vallë ku ngelën popujt,
panumër qeniesh, ato ushtri
të pafund flijuar për grykësinë
e perandorëve, për ambicjet
e Napoleonëve – si duket
amfora ruan boshësinë,
errësirën, turpin retorik
të poetëve të shitur, të dehur,
të lajthitur… por jo poezinë!