E. E. Cummings – Bredhi i vogël

BREDHI I VOGËL
E. E. Cummings [ShBA, 1894-1962]

Bredh Krishtlindjesh,
pak i heshtur, aq i vogël je,
më shumë si një lule

kush të gjeti në pyllin e gjelbër
dhe për ç’vend kishe keqardhje
që të vije këndej?
shih, unë do të të ngushëlloj,
sepse aroma jote aq e ëmbël

në lëvoren e bukur, do t’puth,
do t’përqafoj e shtrëngoj me kujdes
njëjtë siç dhe jote ëmë do ta bënte,
thjesht frikë s’duhet të kesh

shih, xhinglat që flenë në kutinë
e errët gjithë vitin, duke
ëndërruar daljen jashtë
dhe t’u lejohet shkëlqimi,
topthat, zinxhirët, të kuq
e të florinjtë, penjtë e pushtë,

hidhi krahët e vegjël lart
të gjitha do t’i fal si përqafim
secili gisht do ta ketë unazën
e vet, dhe asnjë vend të errët
të palumtur s’do të ketë

atëherë kur t’jesh i veshur mjaft
do rrish tek dritarja bota për t’parë
dhe si ata do i zgurdullojnë sytë!
oh por ti do t’jesh shumë krenar

dhe me motrën e vogël kapur
për dore bredhit tonë
të bukur s’do ia ndajmë sytë,
do t’vallëzojmë dhe do këndojmë
“Noel Noel”

© Për përkthimin: S. Guraziu – Ars Poetica, 2008

– – –

…poezia “Bredhi i vogël” e E. E. Cummings rishtas qenka shperndarë sot si Poezi e Ditës (Poem of the Day), sot më 25 Dhjetor 2019, për organizatën amerikane “Bredhi…” i Cummings thuase është kthyer në “traditë” të Krishtlindjeve poetike 🙂
– – –
Notë – poezia “Bredhi i vogël” e E. E. Cummings, dje më 24 Dhjetor 2017 qe shperndarë si Poezi e Ditës – “Poem of the Day” nga Poetry Foundation (ShBA), padyshim vetëm dje mund ta kenë lexuar me dhjetra miliona adhurues të poezisë anembanë botës. Poetry Foundation është një organizatë e pavarur për letërsi, me qendër në Chicago, qe themeluar më 2003 me buxhetin-dhuratë prej 200 milionë dollarësh, me qëllim promovimin e poezisë. Deri sot sikur vërtet nuk kam hasur asnjë “newsletter” më të rregullt letrare, më konsistente, me përmbajtje më kuptimplote sesa ajo e Poetry Foundation, me të cilën organizata e mirënjohur dhe e respektuar amerikane thuase mëton t’i ngelet besnik thënies së dikurshme të Gëte, “mundësisht, njeriu do duhej çdo ditë të lexonte së paku nga një poezi të mirë…” (ose diç kështu, përafërsisht, pati thënë Gëte), ka me vite që Poetry Foundation, çdosecilën ditë, nga thesari i letërsisë amerikane na e dhuron nga një diçka si ëmbëlsirë të përzgjedhur; si klithmë e ndërgjegjes, si lirizëm, si “përkujtim” poetik, si kumt zemre, si përsiatje… etj. – sguraziu)

Pak histori për bredhin e “varfanjakëve”!

Më kujtohet, në vitin 2010 gjithandej flitej se bredhi i “Palace Emirates Hotel” në Abu Dhabi ishte bredhi më i shtrenjtë i të gjitha kohërave, vlera totale e zbukurimit të bredhit arrinte 11.4 milionë dollarë, ndër xhinglat që na qenkeshin përdorur flitej për gurë të çmuar, për diamante, margaritarë, jo aso fals por diamante me vizëllimash të vërteta – padyshim dhe hoteli duhet t’ketë qenë fort luksoz, i veshur me aso luksoziteti perandorak, me shkëlqime diamanteske a la “Roi Soleil” – dmth. pasi vetë s’kam qenë aty, por iu besoj atyre që thonë se “ishte bredhi më i shtrenjtë” : )
Tekefundit nuk thuhet kot që “Palace Emirates” është hotel me 7 yje.
Bredhi i shtrenjtë i Abu Dhabit se ç’ma kujtoi poezine e E. E. Cummings, “Bredhi i vogël” – por m’u kujtuan dhe bredhat tanë ordinerë, bredhat “jopoetikë” ama te zbukuruar e festiv, paçka se krahasuar me dhjetra-milionat prej dollarësh e me diamantet… ndoshta duken si bredha varfanjakësh 🙂
(sguraziu)