Shin Yu Pai – Djegia e Murgut

DJEGIA E MURGUT
Shin Yu Pai [ 1975, ShBA ]

Nga hiri i trupit të tij,
murgjit e rikrijuan selinë
e ndërgjegjes
së Thich Quang Duc –

një protestë pa gjak
për të zgjuar zemrën
e shtypësit

sakrificë në kryqëzimin
e Phanh Dinh Phung
dhe Le Van Duyet

qullur në benzinë
dhe tretur në flakët
prej 4 metrash
Arhati ngjyrë portokalli
u mbështjellë në heshtjen
e lotusit të plotë

trupi i tij duke u vyshkur
kurora duke u nxirosur

mishi duke u zhuritur
kufoma duke u shembur

zemra duke refuzuar djegien
zemra duke refuzuar djegien
zemra duke refuzuar djegien

– – –

© 2010 Shin Yu Pai – Burimi: Adamantine (White Pine Press, 2010) – via Poetry Foundation, USA
© për përkthimin S. Guraziu – Ars Poetica, 2017

Foto e Quang Duc Thich – 1963, Fotograf: Malcolm W. Browne, ShBA, The Associated Press
Më 11 Qershor 1963 murgu budist nga Vietnami Jugor, Quang Duc Thich i vë vetes zjarrin për vdekje duke protestuar kundër politikës persekutuese fetare të qeverisë vietnameze. Tmerron ky akt dhe njëkohësisht mahnit fakti që murgu nuk lëshoi asnjë zë dhe as nuk lëvizi gjatë kohës që digjej.
(S. Guraziu – Foto të paharrueshme, foto që kanë tronditur botën, 2011)