Yehuda Amichai – Në mesin e këtij shekulli

NË MESIN E KËTIJ SHEKULLI
Yehuda Amichai [Israel, 1924-2000]

Në mesin e këtij shekulli iu kthyem njëri-tjetrit
Me gjysmëfytyrat dhe me sytë e plotë
Si një pikturë e lashtë egjiptase
Dhe për pak kohë

I përshkova flokët e tu
Në drejtimin e kundërt me udhëtimin tënd,
I thërritëm njëri-tjetrit,
Ashtu si kur thirren emra qytetesh
Ku askush nuk ndalon
Përgjatë rrugës.

E bukur është bota tek herët zgjohet drejt djallëzisë,
E bukur është bota tek zhytet në gjumë drejt mëkatit
e pendimit,
Në përzierjen e vetes sonë, ti dhe unë,
E bukur është bota.

Toka i pi burrat dhe dashuritë e tyre
Si verën,
Për t’harruar.
Që s’mundet.
Dhe si konturet e kodrave të Judesë,
Ne kurrë s’do ta gjejmë paqen.

Në mesin e këtij shekulli iu kthyem njëri-tjetrit,
E pashë trupin tënd, duke hedhur hije, duke më pritur,
Shiritash lëkure për udhëtimin e gjatë
Tashmë si shtrëngim gjithandej gjoksit tim.
Të fola për lavdinë e vitheve tua vdekatare,
Ti fole për lavdinë e fytyrës sime kalimtare,
T’i përshkova flokët në drejtim të udhëtimit tënd
E preka mishin tënd, si profet i vetë fundit tënd,
E preka dorën tënde e cila kurrë s’pushoi,
E preka gojën tënde e cila ende mund t’këndojë.

Pluhuri i shkretëtirës e mbuloi tryezën
Në të cilën ne s’kemi ngrënë
Por me gisht shkrova mbi të
Shkronjat e emrit tënd.

– – –
© Yehuda Amichai, 2015 – Burimi: The Poetry of Yehuda Amichai (Farrar Straus and Giroux, 2015), via Poetry Foundation, USA
© Për përkthimin: S. Guraziu – Ars Poetica, 2016