HISTORI
S. Guraziu, 2013
[ muza e epikës vetëngushëllohet; je Kaliopa – i thotë kujtesës, jo Penelopa… ]
Zemrat gurëzohen –
gurët s’janë sinorë,
piramida “kufijsh”
për ndarje zemrash,
kujtimet mjegullohen,
treten dhe puthjet
Iliad-heve të vjetra,
mbase lirës i binin
Homerë të verbër,
por buzëvala e qullur
me shiun e historisë,
“hëna e shirave”, ajo
e përgjumura, i teket
vargëzon odiseadën
gjatoshe pikërisht
në faqen tënde,
epike si “Malcia…”
e Fishtes, as sinorë
as gardhiqe mes meje
dhe ikjes, atëherë
kur t’bjer Troja
e fundit e poetikes,
asgjë s’më mban
peng, s’më “mashtron”
Kalipsoja, asnjë sirenë,
prore afshin do ta
ndjesh, buzëprekjen,
vulën e lëngshme
në faqe do ta kesh.
[ ngjitur: Jacques Louis David (1748-1825) – Kaliopa duke lamentuar vdekjen e Homerit, 1812 ]
(s. guraziu – ars poetica, t 2024 – pak fjalë)
Piktori francez Louis David, në një tabllo të bukur pikturale na e paraqet vdekjen e Homerit, pranë shtratit e shohim vetë muzën Kaliopa duke vajtuar. Ajo i frymëzon poetët, ajo dhe lamenton për ta.
Sipas mitologjisë janë nëntë Muza që frymëzojnë të gjitha format e artit dhe të shkencës. Grekët e vjetër besonin se idetë e mëdha i sillnin muzat nga qielli. Ato ua sillnin idetë artistëve dhe shkencëtarëve, të cilët me anë të frymëzimit hyjnor, i realizonin ato ide qiellore poshtë në botën tonë, tokësore.
Kaliopa është muza e poezisë epike, perëndesha e muzikës, e këngëtimit, e vallëzimit, por dhe e gojëtarisë (oratorisë, fjalimeve të bukura). Emri i saj do t’thotë pakashumë “zë-bukura” (ose zë-ëmbla, muza me zërin e bukur, nga fjalët “kallos” dhe “ops”). Ajo është paraqitur zakonisht me një tabelë shkrimi. Në epokën moderne, Kaliopa i përfaqëson epikat e çdo lloji të mundshëm, madje dhe fantazi-romanet si Harry Potter, por dhe sagat marramendëse, mega-projektetet hollivudeske të tilla si Star Wars. Nga nëntë muzat klasike, Kaliopa ishte më e vjetra, ishte vajza e parë ardhur në jetë nga dashuria e perëndeshës Mnemozina (perëndeshës së mbamendjes) dhe Zeusit.
Autori Steve Lovelace, në një shkrim të v. 2012 qe shprehur si vijon:
“Do doja të besoj se muzat vërtet ekzistojnë, qoftë si perëndesha greko-romake, qoftë si engjëj të përrallave hebraiko-kristiane, apo dhe thjesht si ‘arketipe’ të Jungut. Në secilin rast, ka aq shumë për t’thënë lidhur me personifikimin e potencialit krijues. Se muzat janë të rëndësishme, s’ka aspak dyshim, por bota ka ndryshuar aq shumë që nga kohët e lashta. Me kaq shumë arte dhe shkenca në ditët e sotme, nëntë muzat e dikurshme thjesht s’janë të mjaftueshme.” – cit. nga: “Muses for the Modern Age” 2012, Steve Lovelace.
Autori Lovelace i pati propozuar dhe + 9 muza moderne, ai aludonte që t’i kemi 18 muza gjithsej, sipas tij kaq do ishin mjaft, 9 nga ato klasike dhe 9 muza moderne : )
“Nëse muzat ekzistojnë, qoftë dhe si diç më shumë sesa funksione neurokimike në trurin tonë, atëherë ka shumë sosh. Mirëpo, për aq sa rrumbullakësojnë kategoritë e përgjithshme, mendoj se kaq është një fillim i mirë…” – qe shprehur Lovelace.

