Orë Biologjike, 2010

ORË BIOLOGJIKE
S. Guraziu, 2010

Dikur i gjallë, butak plot jetë,
gozhduar në shkëmb,
tani guaskë bosh, gëlqerak
në baltë, aq i butë tabani,
murex* i ngratë, ndoshta qenësia
s’është diç “spiralore”, lavjerës,
pendulum i Fibonacci, kot
e ndjek inercionin e luhatjes,
ves bioritmik, pretendon
kohëmatjen, por vallë, brenda
vetes si nuk e ndjen mungesën
e esencës, boshësinë, hiçin
e zbraztësisë së tmerrshme –
joprezencën e vetë zemrës!

Në pafytyrësinë përtej qelqit,
ca numra si vrapues invalidë,
garues ambicioz paraolimpikë,
shtiren me zemra t’Herkulesit,
fiksuar në rreth njëri-pas-tjetrit,
pa lëvizur fare vendit,
pa ndjenja, pa rrahje as “tëk”,
gjoja si atletë të kohës, i lidhin
tik-taket e gjallimit, përjetësisht!

* murex – emër i përdorur fillimisht nga Aristoteli për disa lloje guaskash; kërmill deti (grabitqar), “kërmill guri”