Zgjimi në “Romë”

S. Guraziu, 2019 ( “gjilpëra” monolitike – histori alternative )

I përjetshmi Amen-hat, të njoftoj se historia moderne pothuaj mozomokeq, pak me vonesë (kanë kaluar mijëvjeçarët) por të tregoj se obeliskun e patën vjedhur dikur romakët, ata perandorët paganë të Romës. Ç’është e vërteta, romakët e konsideronin veten qytetarë të “qytetëruar”, ndërsa e gjithë bota rrotull ishin “barbarë”. Më vonë vetë “romakët e modernizuar” ia fshinë hieroglifet, e rigdhendën me ca dokrrash të veta, e baptizuan, e “krishter-izuan”, imagjino… e shpallën të shenjtë monolitin tënd, atë gurin e ngratë të tokës, atë gjigantin e pafajshëm, atë granitin e kuq!

Gjithsesi, ca kronika pseudo-historike thonë se për triumfin e paganizmit (modern, ndaj atij të lashtë, arkaik) fillimisht u desh të digjej Roma, madje duhej t’linçohej Shën Pjetri. Dhe atë pikërisht në cirkusin e perandorit Kaligula. Vetë monoliti yt, guri i gdhendur i Heliopolisit do shërbente si dëshmi e marrëzisë historike.
S’ka dëshmi me shkrim as fakte tjera por ndoshta dhe ajo Kleopatra tallej, shtirej sikur e dinte, “herëdokur, një obelisk në shesh do jetë nderim-ereksion i perandorit Kaligula” (duke aluaduar gjoja si “ngritje” e huazuar nga perëndia Min)!

Ka dhe detajesh simpatike, psh. gjeneralët e Aleksandrit (ata ptolemaistët, dinastitë parazitare të iliro-grekëve) gjigantin tënd e quanin “gjilpërë” – hm… krahasim qesharak, apo jo. Sidoqoftë të siguroj se vërtet gjilpërë e rëndë. Papës vizionar atëbotë iu deshën 1000 burra dhe 100 kuaj ta lëvizte. E gjithë Roma qe trazuar për ngritjen e një “gjilpëre” të vetme. Ta them pra se akti eventualisht do përputhej me talljen hipotetike të Kleopatras (rreth “ngritjes së lulushit të Min”)!

Sipas Romës (sipas Vatikanit po ashtu) s’ishte vjedhje, assesi, ruana zot. Pasi dikur (në kohën e Romës romake) obelisku vetë qe dyndur, qe zvarritur dunave te shkretetires, ëndërronte ta puthte qiellin në qendër të Shën Pjetrit. Tashmë, në qendrën e vetë qendrës… mileniume pas lavdisë sate, thuase ngulur në kërthithën e qiellit, “gjilpëra” jote e shqyen cipën e injorancës, arrogancën e Kleopatras etj !

I madhërishmi Amen-hat, të njoftoj se historia moderne jo dhe aq për lakmi, pothuaj mozomokeq. Jo se t’kanë harruar… por ajo “vega e ndryshkur” ta ka kaluar. Edhe pse me emrin e saj gjithçka do merrte fund; traditat faraonike varg e varg, madhështia jote, gjithçka e lashtësisë… dhe prapë bla, bla, bla. Kleopatra ngeli fjalëshumë, si “Komedia…” e Dantes mbase dhe mëkate pa fund, si “gënjeshtër e shtriqur*” e Angelou, nga Londra në Nju Jork “gjipërat” e saj qiellin e thumbojnë – e vërteta si përherë… gjoja universale, e njëkohësisht askund !

* gënjeshtër e shtriqur – shprehje “figurative” nga poezia e Maya Angelou “Zgjimi në New York”

(ngjitur:)
– Julius Kronberg (1850-1921) – Kleopatra, 1883
– Kleopatra (tempulli në Karnak)
– Henry Clive (1883-1960) – Kleopatra
– Perëndia Min, Egjipti i lashtë (tempulli në Karnak)
– Romë – Ngritja e obeliskut në v. 1586
– Romë – Sheshi i Shën Pjetrit… sot
– Amenhotep III (njëri nga Amenhotepët e shumtë… obelisku i Vatikanit ishte i njërit prej tyre : )