Amsterdami, diç si Amst-atlantis i Platonit !

(sguraziu – ars poetica, mars 2021 – koment)

Një hartë me titull “Holanda krahasuar me nivelin e detit” (harta djathtas) e publikuar nga Jan Arkesteijn, 2004, na “flet” se si do dukej Holanda nëse uji ta kishte “rrugën të lirë”, dmth. nëse uji të shtrihej ashtu shlirshëm në gjithë zonën e ulët të vendit (26% është nën nivelin e detit).
Nëse holandezët, me shekuj tashmë, t’mos impenjoheshin, nëse t’kishin ndenjur duarkryq përballë ujërave dhe tekave të oqeanit, nëse t’mos i thanin tokat, nëse t’mos investonin në projektet e shumta, nëse t’mos i ndërtonin digat etj etj. padyshim ashtu dhe do dukej Holanda sot, pikërisht si në në hartën e Arkesteijn.

Sa për ta patur sadopak idenë (e sipërfaqes që do përmbytej) majtas ia shtova një hartë “relievike” pa detaje. Siç na qartësohet, Amsterdami s’do ekzistonte, ose do ishte ndonjë “Amst-atlantis”, diç si ajo Atlantida platonike, qytet nënujor i imagjinatës, e po ashtu dhe provinca të tëra do zhdukeshin, pothuaj tërësisht…
Sepse gati 1/3 e Holandës (26%) ndodhet nën nivelin e detit, por dhe vetë stereja “kontinentale” është rreth 17% e përbërë nga ujërat. Delta në provincën Zeeland, si mozaik marramendës, formësuar nga hidro-trinia e lumenjëve Rhine-Meuse-Scheldt është subjekt në vete, vetëm sa të përmendet… meqë me ca fjalë as nuk përshkruhet.
Gjithsesi, si kategori rishtas në vete, “shtigjet” ujore dhe kanalet holandeze i përbëjnë rreth 6000 km. Bregdeti ose “riviera” është 230 km e gjatë dhe 75% përbëhet nga dunat e rërës të cilat mund t’i arrijnë deri në disa km gjerësi…

***
Pothuaj gjithkush e njeh simbolin ikonik të Holandës, gjithandej nëpër kartolinat turistike e nëpër guidat figurojnë mullinjtë e erës, apo jo. Mullinjtë (ashtu si dhe “klompen” – ato nallanet e drunjta) janë “emblemat” kryesore të Holandës. Në gjuhën holandeze ka shumë shprehje rreth e rrotull mullinjve (thëniet e popullit, siç ne i quajmë në shqip, në Holandë njihen si “uitdrukkingen”). Psh. “met molentjes lopen” (të ecësh me mullinjtë) përdoret në kuptimin “të jesh pakëz i çmendur” (mua se përse kjo përherë ma kujton Don Kishotin : )

Sot kanë ngelur të ruajtur rreth 1000… apo më saktë 991 mullinj të erës (sipas të dhënave, Univ. i Groningen). Anise ka dhe 108 aso të ujit. Këta të erës pra janë “të erës”, u muar vesh, ja që kanë të bëjnë pikërisht me ujin – mullinjtë e erës për Holandën simbolizojnë luftën e gjatë shekullore me ujin.

Tradicionalisht një mulli përdoret për bluajen e drithrave, dihet kjo, mirëpo gjatë kohës gama e aplikimeve të tyre do t’zgjerohej. Gradualisht, me avancimet teknologjike qenë shtuar lloj-lloj përdorime e aplikimesh industriale, të tilla si pompimi i ujërave, nxjerrja e vajit (dmth. shtypja, presimi), sharritja e lisave (dërrasëzimi, psh. për ndërtimin e anijeve), bërja e letrës (madje thuhet se Deklarata e Pavarësisë së ShBA, në v. 1776 qe shkruar në letrën e prodhuar në Holandë, dmth. dhe falë mullinjve të erës).

Thamë se mullinjtë e erës simbolizojnë luftën pikërisht me ujin. Përdorimi i mullinjëve për pompimin e ujit dhe të krijimit të “polder-tokave” ishte një fakto-element kyç i kësaj lufte shekullore me ujin. Sistemet hidraulike për kullimin ose tharjen e tokës filluan të përdoren që në Mesjetë, e deri në ditët e sotme. Mbase Kinderdijk është një lloj epitome e gjithë tipologjisë që lidhet me këto avancime e teknologji – me digat, me rezervuarët, stacionet e pompimit, mullinjtë. Në luftën e vazhdueshme mes njeriut dhe fuqisë së ujit, sistemi i mullinjve dhe i stacioneve të pompimit e ka mbajtur tokën të tharë për gati njëmijë vjet.

[ edhe ca fjalë – sot do mjaftohemi me aq ]
Natyrisht mund të flitet gjerë e gjatë për arritjet, për veçoritë, për biçikletat, për lulandinë e për luan-ezët, për kuriozitetet, për kulturën holandeze e për gjithçka. Ekonomia e Holandës njihet si një nga ekonomitë më të hapura të botës, si vend është njëri ndër eksportuesit më të mëdhenj. Ata që i njohin gjërat, padyshim do kenë shkruar dhe libra për Holandën, jo vetëm artikuj 🙂

Holandezët për veten thonë se janë kreativë, të hapur dhe pragmatikë, se me të tjerët kultivojnë qasje direkte, të ndershme dhe të hapur. Në takimet e punës (ose afariste, të biznesit) për veten thonë se janë “informalë dhe amikalë” (dmth. fort miqësor). Insistojnë që ata vetë, dhe të tjerët po ashtu, duhet t’jenë të saktë në kohë dhe t’iu përmbahen marrëveshjeve. Botërisht janë të njohur për qëndrimin tolerant rreth çështjeve mjaft komplekse, të tilla si aborti, eutanazia etj.

Vetë s’e kam idenë, ama nga qejflinjtë mbase njihen dhe si mjaft “të butë” rreth çështjes së narkotikëve (soft drugs). Padyshim janë të njohur dhe për vesin e tyre të kursimit, termi “going Dutch” (i cili, natyrisht, përdoret vetëm nga të huajt, ose më shumë nga të huajt) e ilustron fare mirë “dorështrëngimin” e tyre. Një lokalizëm kosovar “rrudhe dorën” (se m’u kujtua) fort bukur i afrohet përshkrimit të këtij atributi holandez : )

Me rreth 17 milionë banorë dhe me një dendësi të popullsisë prej 498 banorë për km2, sa i përket demografikave Holanda është vendi më i “ngjeshur” në BE. Sipërfaqja e Holandës është 41.500 km2, dhe përbëhet nga 12 provinca. Mbretëria e Holandës përbëhet nga Holanda, Aruba dhe nga Antilet Holandeze. Si sistem politik Holanda është një Monarki Konstitucionale (kushtetuese), së bashku me ministrat Mbreti e formon qeverinë. Si një demokraci parlamentare, vendimet për çështjet e shtetit i takojnë “Tweede Kamer” (Kuvendit, ose Parlamentit) dhe kontrollohet nga “Eerste Kamer”.