Platoni e njihte kakofoninë e turmës, jo dhe muzikalitetin e “zhurmës”!

S. Guraziu – AP, Q 2018 (humoreskë – fjalët, poezia, muzika, peizazhet ritmike, ariet poetike etj)

(…Platoni pati thënë se muzika është ligj moral, se muzika ia fal flatrat mendjes, ia fal fluturimin imagjinatës… etj., ama ndoshta dhe muzika shpesh i “anashkalon” shpirtrat e jodisponuar, i anashkalon muzat qejfprishura, fazat shterpe, çastet pa frymëzimin, ngjashëm siç ia bën dhe poezia…)

Maria Corte Maidagan – Agujetas (Instagram)

Shumkush niset që poezia padyshim i “ngjanë” muzikës (shumkush – për t’mos thënë “gjithkush”, pasi ashtu vetë fillimi ynë me shkrimin do ishte pasaktësi). Lexuesit me “veshë të trajnuar” thonë se do duhej t’ishte diç si melodi e harmonizuar, krijesë e përkryer, e ardhur në jetë me ndihmën e bagazhit gjuhësor, me stil e me fjalë të zgjedhura, me sintoninë, me hijeshinë, me ngjyrësinë, me ëmbëlsinë, diç si mjalti që rrëshqet ngadalë e “kalavaret” tatpjetzës së fytit, diç që zgjatë me jehun e kujtesës duke u shkrirë ëmbëlsisht – poezia e bukur do duhej të shijonte si qershitë e mjaltosura, të “tingëllonte” ëmbël si muzika – thonë ata.

Mirëpo s’janë vetëm fjalët e germat me çfarë “shkruhet” poezia. Bie fjala piktorët e sjellin në jetë poezinë me “fjalë” brushash, me figura prej nuancash, me dritë-hijesh, me metafora ngjyrash. Simonidi i shihte gjërat pakashumë ashtu, “piktura është poezi e qetësisë, dhe poezia është pikturë me virtytin e fjalëve” – pati thënë ai.

E prapë, dmth. siç e dimë, jo vetëm piktorët “merren” me poezi pikturale – as jo vetëm poetët na magjepsin me fjalët e ëmbla e me çokollatat e ndjesisë. Psh. muzikantët, i kanë dhe ata preokupimet e veta me poezinë. Paçka se ata peizazhet ritmike dhe ariet e veta poetike i ujdisin me nota e tinguj, dmth. krijesat e tyre mbase do ishin diç si “poezi sonografike”, diç si “audio-peizazhe”… etj. etj.

Në një vend, para ca vitesh, pata supozuar se poezia mbase është diç si zig-zage fluturash para syve tanë, qetësi e fjalëve e gërshetuar me zgjimin ndjesor e me ndjenjat. Për poezinë fjalët nuk janë “zhurmë”, për poezinë fjalët janë “fjalë” akoma pa u bërë fjalë, janë diç si qetësi e zhurmëshme, janë zhurmë e qetësisë për ta shporrur vetë zhurmën, qoftë dhe aso e shurdhër – thuase synimi është që me qetësinë e me harmoninë t’i prishet rehatia vetë “zhurmës”…
Pra e qartë se ishte “lavdërim” i poezisë – pakashumë gjithkush e lavdëron poezinë, është diç si ajo “princesha” e klithmave shpirtërore.

Tani le t’kërcejmë pak tek Platoni i lashtësisë, jo për t’u marrë me filozofinë e tij, por meqë e pati lavdëruar muzikën, e pati ngritur në qiell. Platoni pati shkruar se muzika është ligj moral, se muzika ia fal flatrat mendjes, se ia fal fluturimin imagjinatës… sipas tij madje as vetë Universi s’ka shpirt pa muzikën : )
Vallë a nuk janë këto fjalë të zgjedhura, fjalë të mençura, pothuaj “lavdërim poetik”. T’i thurësh lavde muzikës me këso fjalë, padyshim dinë vetëm ata që e duan muzikën pa hile.

Njësoj dhe tifozët e futbollit, si shembull, prore ndjehen të frymëzuar për lavdërimin e futbollerëve, a te klubeve favorite. Sakaq i gjejnë fjalët më interesante të zhargonit “futbollistik”, ne dëgjuesit mahnitemi, shpesh kurrë dëgjuar për të tilla fjalë, tinëz pandehim do jenë sinonime që nuk i dinim. Pasi e mira e fjalëve është se kanë plot sinonime, zëvendësime, saherë t’shfaqet nevoja emergjente
.
Ose psh. fansat e kinematografisë, filmofilët e Hollivudit sidomos, i njohin me aktorë e me aktresha, me yllka e me yje, me detaje e me cikërrima, me dashuriçka e me trille. Në çdo kohë janë të frymëzuar t’u thurin lavde yjeve me gjuhën më të “kolorizuar”. Mjafton ta vizitojmë ndonjë blog modern rreth filmave, rreth glamurozitit, rreth “beauty & style”, rreth bukurisë, rreth shijeve etj… dhe do t’bindemi.

Sepse secilikush i ka “dashuritë” e veta, “ëmbëlsirat” e veta, “shijet” e veta, “simpatikat” e veta, “parapritjet” e veta, sot të gjithë furnizohen me fjalët e nevojshme e me sinonimet sekrete… Thjesht sepse nuk i dihet, pa pritur pa kujtuar shfaqet nevoja për lavdërime. S’bën të ngelemi të hutuar, galuç në befasi.

Meqë s’pati dërdëllitur tek ashtu, siduket Platoni s’ia bënte as “gëk” pa muzikat, pati përdorur fjalë aq të mençura, e dinte saktësisht se ç’po thoshte. Natyrisht se kishte të drejtë për muzikat, e lehtë për t’u pajtuar, e lehtë të akordohemi me mençuritë platonike.

Gjithsesi, jo gjithë shpirtrat, gjithmonë dhe pa përjashtime, do jenë të “akorduar” njësoj. Disa shpirtrave (ka momente kur) muzika u vjen thjesht si “zhurmë” (këtë s’e pati thënë Platoni, s’e shpika as vetë, padyshim do e kem lexuar a dëgjuar). S’kemi si ta vulosim saktësinë, s’na takojnë vulat, ama ideja s’duhet hedhur tek ashtu “posht”. Ndoshta vërtet ka shpirtra që në momente të caktuara muzika u vjen si “zhurmë”.

Herë sadopak e këndshme, e herë asfare, pothuaj më shumë si “torturë” për veshët. Jo sepse si shpirtra na qenkan të “çakorduar” (supozohet se veshët e njerëzimit funksionojnë njësoj, shkenca na thotë se cilido tingull violine, cilido zë a çfarëdolloj klithme, qoftë ritmike / aritmike, është thjesht valë elektromagnetike). S’ka shpirtra të “çakorduar”, as qenie jashtë “pentagramit”, por mbase muzikat vetë s’janë të “akorduara” me membranën e tyre shpirtërore.

Apo dhe… ehuuu ku ta dimë, shkencë në vete kjo. Dhe vetë Platoni pati heshtur atëbotë rreth kësaj, s’pati përmendur gjë. Pra nuk mohohet fakti se ka lloj-lloj gjendjesh e paragjendjesh shpirtërore. Pafajësia në këtë mes është evidente – asnjë shpirt i kësaj bote s’ka “faj”. Ndoshta muzika thjesht udhës së vet, i “anashkalon” shpirtrat e jodisponuar, i anashkalon muzat qejfprishura, fazat shterpe, çastet pa frymëzimin, ngjashëm siç ia bën dhe poezia : )

Adrian Mitchell qe shprehur pakashumë si vijon: “shumica e njerëzve e injoron shumicën e poezive, sepse shumica e poezive e injoron shumicën e njerëzve” – mendoj se në thënien e tij ka neutralitet të “gjykimit” dhe vërtetësi të kulluar. Afërmendsh, vlen dhe “sipas vendit, kuvendi”. Meqë Platoni i pati lavdëruar muzikat, dhe meqë pati “heshtur” për disa detaje, le t’kërcejmë pakëz në kohën e tij.

Imagjino, lodhet ai duke i lavdëruar muzikat, lodhet duke medituar-filozofuar, del në kopshtin e vet aromatik, plot me lule e freski, ulet dhe ia fillon kënaqësisë me një kupë verë të ëmbël. Papritmas i shfaqen rocker-ët e AC/DC me elektrikat e me shllagerizmat, aty në kopshtin e vet rock-koncert… gjoja duke pandehur argëtim.

I ngrati Platon do ishte shashtisur, do rendte i llahtarisur, do çirrej e do i zgjonte gjithë orakujt e lashtësisë, do ta thërriste dhe vetë Zeusin në ndihmë… ose më mirë vëllain e tij, Hadesin, meqë do pandehte AC/DC janë farë përbindshash të ikur nga Tartarusi, akoma më thellë se Hadesi.

Jo pra, më mirë ta lëmë rehat. Platoni ende s’kishte dëgjuar për muzikalitetin e “zhurmës”. Së shumti mund ta njihte kakofoninë muzikale të turmës (meqë shpesh do jetë marrë me fjalime nëpër sheshet e Agorat). Ama si ta dinte ç’na qenkan shllagerizmat! Ndoshta i ngrati fjalën e kishte për zogjtë e pyllit, ai thjesht i pati lavdëruar muzikat… kaq. S’i pati përmendur as zhanret, as kategoritë muzikore, as preferencat e veta, as stilet, as instrumentet… asgjë, sa për ndonjë rrymë speciale akustiko-stilistike, a ndonjë këngëtar të veçantë, as hiç se hiç!

***
“Music is a moral law. It gives a soul to the universe, wings to the mind, flight to the imagination, a charm to sadness, and life to everything. It is the essence of order, and leads to all that is good, just and beautiful, of which it is the invisible, but nevertheless dazzling, passionate, and eternal form.” – Plato
[ ngjitur: Maria Corte Maidagan – Agujetas (Instagram) ]