SG – Liberty

LIBERTY
S. Guraziu, 2009

S’jam si ti, Statujë e Lirisë,
me pishtarin e Prometeut
në duar, me dritën e urtësinë,
me një univers boshësie
që s’e njohim as unë
dhe as ti – Liberty e pafajshme,
çdo gjë e mozaikut përjashta
na përket neve, ka diç
që pulson brenda, shtytja,
inercioni i gjakut, vetë
jemi krijuesit e së jashtmes,
i kemi shpikur statujat,
reliket, simbolet,
me qëllim t’ia kujtonim
vetes së paku të jashtmen
e Lirisë, por çfarë e plotëson
brendësinë, me çfarë
ta mbushim boshësinë
tënde, një boshllëk Piramide,
mos vallë me rërë germash
dhe kurthe – apo thjesht
është besim, i njësuar
me grahmat e flakës,
oksigjen që “digjet”
i frymëmarrjes, beso pra
dhe ti Liberty… në Lirinë,
kurrë s’do t’i kesh frikë pastaj
treqind kalorësit e ndërgjegjes,
t’i godasin portat, bedenat
që rrënohen me vetë gurët
e vet, katapultet ngjeshur
me të njëjtit gurë, s’do
i kesh frikë as kapuçonët
netëve me stuhi, të mistershëm
si vdekja, si nata me pelerinën
e zezë që e mbështjell
boshësinë, të padukshmen
e trishtë, tek trokasin
në portat e kalbura
të pallatit tënd… të ëndrrave.