Ç’botë e mrekullueshme – What a wonderful world (2)

(sguraziu – ap, janar 2020 – humoreskë)

S’e mohoj, kohët e fundit ka filluar më “dhimbset” njerëzimi… i gjithë planeti komplet, me zogj, me lule, me lisa e me gjallesa. Meqë nuk di sa gjatë do frymoj, s’e kam idenë dhe sa vite m’kanë ngelur, më duhet që tani t’ia filloj me keqardhjen e me dhimbshurinë.
Kurrë s’kam menduar se në jetën time të “shkurtër” do t’ballafaqohem me euforinë, me friken e gjithë njerëzimit, lidhur me fatin e mbarë njerëzimit dhe të planetit. Madje krijohet përshtypja sikur është njëfarëlloj “euforie” e menaxhuar nga diku lart, mbase nga maja e piramidës ekzistenciale – o Nëna Natyrë, o Prometeu… o kushdo t’jetë, me gjasë sikur e ka bërë një gabim të madh dhe t’pafalshëm.

Dinosaurët dikur qenë kënaqur me qindra miliona vjet, të njëjtin planet s’ia dolen kurrë ta “shpenzojnë”, ata na e lanë trashëgim. Në rregull, Dinot s’kishin “industri”, ekonomia e tyre ishte “green”. Mirëpo çfarë nesë qiellin e tyre e nxirosnin vullkanet, dhjetra herë më shumë sesa tymtarët e industrise sot!? Çfarë nëse ata çdo ditë i zinte rrebesh prej shirash acidikë? Ata s’ankoheshin, s’di kush t’jenë ankuar, s’është gjetur asnjë “record”, asnjë ankesë e tyre. Më “dhimbset” njerëzimi sepse ka një padrejtësi monstruoze në këtë mes; nëse krahasohen 3 milionë shekuj kënaqësi të dinosaurëve me vetëm 3 shekuj të njerëzimit… le që është dallim marramendes, por ne tani duhet të shpërngulemi dhe në Mars. E shpikëm makinen me avull, e shpikëm dhe mobilin dhe çfarë pastaj, as 1 shekull duke u kënaqur ty-ty-tyyy dhe hoooop na u shkurtua ardhmëria si specie – iu shkurtua njerëzimit në 3-4 shekuj!

O shpërngulje në Mars, o shuarje – u dashka të zgjedhim. Pa pa pa, dikush s’i ka llogaritur gjërat mirë. Totalisht e pakuptimtë, gabim trashanik i dikujt, qoftë i natyrës, qoftë i hyjnorëve a qoftë i askujt. Vallë a nuk janë tmerrësisht pak 3 shekuj! Sëpaku t’i kishim 15 shekuj, sëpaku nja 10 shekuj të kënaqeshim ty-ty-tyyy! S’po i kërkon kush 1 milion shekuj, as 30 milionë vite, as 300 milionë vitet e dinosaurëve! Vetëm 2-3 shekuj eufori “industrializmi”, dhe t’konkludosh se njerëzimi duhet ta bëjë gati Planin B (ta ketë të gatshëm një “back up” të Planit A) tingëllon absurd i llojit të vet. Unë madje s’dija që e kishim as Planin A!

Çështja e balancit ekzistencial, çështja e mbipopullimit dhe shpenzimi i resurseve të planetit gjithmonë do jetë brengë e njeriut si specie – do thonë të diturit e shkencetarët. Në rregull, por problemi më paradoksal që njerëzimi ka tani për tani është fakti se vetë shkencëtarët janë pjesë e “përbindshit” teknologjik. Thua se na ditkan “Shell-istet” ta gjejnë naftën 1000 milje në fund të oqeanit pa ndihmën e shkencëtarëve! Dokrrat s’iu shiten asnjërës palë. Eksponencializmi i “urisë” së ekonomisë industrialiste është kusht i zhvillimit, ligj bazik i progresit. E dimë që secili industrialist me “syrin e madh” (që e sheh gjithë globin) vrapon pas “kulaçit” të vet. Ashtu kanë bërë për një shekull dhe ende bëjnë “dinosauret” e industrise automobilistike. “Dinosaurët” e industrisë s’munden as “gëk” pa shkencëtarët.

Madje s’di pse i quajnë “shkencëtarë”, në fakt do duhej thjesht “teknologë”, ushqyes të përbindshave që e shkaterrojnë planetin. Tani për tani kulaçi ende këtu në Tokë, jo në Mars. Për ta arritur Marsin, përbindshat e “globalizmit” për momentin ndodhen në garë me vetveten. Mund dhe ta dinim se herët a më vonë çështja do bëhej serioze dhe e “frikshme”! Vetëm se jo kaq shpejtë, jo pas 3 shekujsh – sëpaku unë s’e kam pritur. E gjithë kjo frikë ekzistenciale e njerëzimit m’zuri “befasisht”. Janë aq pak 3 shekuj! Sëpaku t’i kishim 15 shekuj, sëpaku 10 shekuj!

Realisht ende s’kanë kaluar as 3 shekuj nga kur shpikësi James Watt e pati përmirësuar (“shpikjen” e kolegut të vet) makinën me avull. E dimë që ajo shpikje, së bashku me përmirësimin e Watt, ishte “rrota” kyç për ndryshimet që do t’vinin nga revolucioni industrial, në gjithë botën. Pra zanafilla e “revolucionit industrial” s’i ka as 3 shekuj, dhe ja veç ia filluam me frikërat e me euforinë globale, na duhet të ikim në Mars sepse këtu ekziston rreziku të shuhemi si specie. Vallë a nuk na qenka “eufori”, vallë a nuk qenka padrejtësi, s’di si ta quaj ndryshe – njëra duhet t’jete e saktë; o padrejtësia o euforia!

S’ka asgjë të jashtëzakonshme në faktin që njeriu të ketë frikë – e ndoshta as të kihet frikë nga njeriu. Frika është aq e shëndetshme (psh. s’është “sekret” që frika nga vdekja e mban njeriun në jetë). Por të deklarosh si shkencëtar, si filozof, si antropolog, si industrialist… etj. pas vetëm 2-3 shekujve “industrial” njerëzimi duhet të shpërngulet në Mars, sepse Toka s’do jetë tutje e aftë për t’na ushqyer, për mua vërtet tingëllon “eufori qesharake”, anise dhe e dhimbshme. Pa le që pastaj më kujtohen dhe dinosauret, më kujtohet padrejtësia… huh!

E thashë se ka filluar më “dhimbset” njerëzimi… i gjithë planeti komplet. Edhe pse as mendja s’më shkon të ik në Mars, t’ia kthej shpinën planetit tim, as mendja s’më shkon t’bëhem frikacak-ikanak, është fakt që gjithë këto vite të jetës nuk jam brengosur. E pranoj, ndjehem tani nën faj, qoftë dhe pafajësisht duke mos ditur se me kohë do duhej t’më ishte dhimbsur njerëzimi + planeti. Andaj s’kam kohë të humbas, më duhet t’ia filloj që tani me keqardhjen e me dhimbshurinë.
Ok, sa për ta mbyllur, ca çaste larg sentimenteve – ç’botë e mrekullueshme, what a wonderful world : )